Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se Irani është “ndoshta” përgjegjës për sulmin me dronë ndaj një prej tubacioneve kryesore të naftës në Arabinë Saudite.
Tubacioni Lindje-Perëndim u sulmua të enjten nga disa dronë të ardhur nga Iraku, sipas Ministrisë së Jashtme saudite. Sulmi shkaktoi disa të plagosur dhe dëme materiale, ndërsa tubacioni u mbyll përkohësisht si masë paraprake.
“Unë mendoj se po, ndoshta janë ata”, tha Trump të shtunën, kur u pyet nga gazetarët gjatë vizitës së tij në Dublin.
Megjithatë, deri tani nuk ka konfirmim zyrtar se kush qëndron pas sulmit. Rezistenca Islamike në Irak, një koalicion milicish të mbështetura nga Irani, ka mohuar çdo përfshirje.
Sulmi vjen në një moment veçanërisht të tensionuar për Arabinë Saudite, ndërsa lufta me Iranin vazhdon dhe rebelët Huthi, të mbështetur nga Teherani, kanë avancuar në zonën e Detit të Kuq.
Trump tha gjithashtu se kishte komunikuar me Princin e Kurorës saudite Mohammed bin Salman, të cilin e përshkroi si një “mik të mirë”. Sipas një burimi të CNN, princi saudit i kishte kërkuar Trumpit të godiste pozicionet e Huthive, por presidenti amerikan kishte refuzuar.
Ndërkohë, qeveria irakiane ka dënuar sulmin dhe ka urdhëruar një hetim për identifikimin e autorëve. Bagdadi tha se nuk do të lejojë që territori apo hapësira ajrore e Irakut të përdoret për sulme të tilla.
Autoritetet irakiane njoftuan gjithashtu të shtunën mbylljen e disa pikave kufitare si masë paraprake.
Tubacioni Lindje-Perëndim është bërë një infrastrukturë kritike për Arabinë Saudite, veçanërisht pas përshkallëzimit të konfliktit me Iranin dhe ndërprerjeve në Ngushticën e Hormuzit.
Përmes tij, Arabia Saudite ka ridrejtuar rreth 5 milionë fuçi naftë në ditë drejt portit të Yanbu-së në Detin e Kuq, në mënyrë që eksportet të vazhdojnë edhe kur transporti përmes Gjirit Persik është penguar.
Sulmi i fundit dhe avancimi i Huthive në Detin e Kuq kanë shtuar shqetësimet për sigurinë e infrastrukturës energjetike saudite dhe për furnizimin global me naftë.

