Tronditjet në PD pasqyrohen edhe tek PS, çfarë paralajmëron Edi Rama

schedule11:20 - 11 Janar, 2022

schedule 11:20 - 11 Janar, 2022

Partia Socialiste do të mbledhë Kongresin e Partisë më datë 29 Janar. Ishte Kryesia e Partisë Socialiste që u mblodh sot në drejtimin e Kryetarit Edi Rama për të miratuar projektvendimin për mbledhjen e Kongresit në datën 29 Janar. Në këtë mbledhje u paraqit dhe drafti paraprak me propozimet për ndryshime në Statutin e PSSH-së. Pas diskutimeve të zhvilluara nga anëtarët e Kryesisë dhe propozimeve përkatëse, Grupi i Posaçëm i punës për Statutin do të vazhdojë diskutimin në ditët e ardhshme për të hartuar dokumentin përfundimtar i cili do ti paraqitet për miratim delegatëve të Kongresit.

Gjatë punimeve të Kongresit, paralelisht do të organizohet votëbesimi nga Ansamblea Kombëtare për Sekretariatin Ekzekutiv të partisë. Në Kryesi u diskutua gjithashtu për aktivitetin që do të zhvillohet në 15 Janar në kuadër të 30 vjetorit të Forumit Rinor Eurosocialist Shqiptar.

Sjellim ndërmend se me 2 shtator të këtij viti, Kryeministri Edi Rama publikoi emrat e Sekretariatit të ri Ekzekutiv të Partisë Socialiste, drejtuesve të qarqeve, si dhe grupit të punës së Akademisë Politike. Në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të PS-së, Rama informoi se Sekretar i Përgjithshëm i PS-së do të jetë Damian Gjiknuri.  Rama publikoi edhe emrat e tjerë të Sekretariatit Ekzekutiv: Sekretar Organizativ, Blendi Klosi, Sekretar Dixhital, Etjen Xhafaj, Sekretar i Burimeve Njerëzore, Anila Denaj, Sekretare e Gruas, Etilda Gjonaj, Sekretare e Marrëdhënieve me Jashtë, Romina Kuko, Sekretare e Rinisë, Bojkena Basha.

Ndërkohë sot, kryeministri Edi Rama u shpreh se pjesë e diskutimit ishte ripërtëritja e partisë me të rinj dhe mbledhja e Asamblesë që do të paraqes sfidat për 4 vitet e ardhshme.

Duket se tronditjet në partinë më të madhe opozitare të vendit, atë të PD-së, po pasqyrohen edhe tek Partia Socialiste. Kujtojmë se në dy Kuvendet e mbajtura në PD atë të Sali Berishës më 11 dhjetor dhe atë të Lulzim Bashës u bënë dy palë ndryshime. Të dy grupet tashmë të ndarë në PD nuk i njohin ndryshimet statuore të njëri-tjetrit, ndërsa përplasja për to ka shkuar edhe në gjykatë./abcnews.al/