Trefishohen të prekurit nga gripi, mjekët këshillojnë: Mos u vetëmjekoni

schedule17:32 - 12 Janar, 2020

schedule 17:32 - 12 Janar, 2020

Në qarqet më të ftohta të vendit është rritur numri i të prekurve nga gripi. Në Dibër në zonat e thella temperaturat kane shkuar deri dhe -10 gradë celcius. Ndaj dhe është e pashmangëshme rritja e numrit të virozave gripale.

Në urgjencën e Spitalit të Peshkopisë ka një numur të shtuar vizitash mbi 100 në ditë dhe dominojnë fëmijët. Shefi i Pediatrisë, në spitalin e Peshkopisë, Filip Cfarku jep detaje.

“Si pasoje e ftohjes së motit ka një shtim të ndjeshëm  të  vizitave, në ditët e fundit në spitalin e Peshkopisë parqiten me temperaturë të lartë dhe kjo virozë zgjat në kohë”, tha ai.

Shpesh herë të sëmurët nguten dhe nisin mjekimin pa u konsultuar me mjekët ndaj Cfarku jep këtë këshillë.

“Të mos përdoren antibiotikë pa rekomandimin e mjekut dhe të mahet temperatura nën krontroll”, këshillon ai.

Duke parë se Dibra ka shtrirje shumë të madhe dhe zona shumë të thella, prindërit për çdo rast duhet ti drejtohen fillimisht mjekëve të zonave apo të familjes, përpara se ti drejtohen spitalit.

Edhe në Kukës mjekët raportojnë për numër të shtuar të prekurish nga virozat por për fat të mirë nuk ka patur raste të komplikuara.

Shpesh herë qytetarët ngatërrojnë shenjat dhe sa herë kanë temperature të lartë mendojnë se është domosdoshmërish grip dhe neglizhojnë duke mos shkuar tek mjeku.

Jo gjithnjë është kështu pasi tre persona që neglizuan disa ditë më parë ndërruan jetë.

Deri tani njërit prej tyre u zbulua shkaktari, që ishte infeksioni i meningokokut i patrajtuar në kohë që zhvilloi sëmundjen e meningitit.

Meningokoku ka raste që prek cipën e trurit, invalidizon të sëmurin ose i merr jetën. Por ka dhe raste që përhapet në gjak dhe në lëkurë shfaqen njolla të dukshme e më pas individi humb jetën./abcnews.al