Tre skenarët e mundshëm mbi atë që mund të ndodhë në Ukrainë në rastin e një “konflikti të ngrirë”

schedule12:18 - 28 Maj, 2022

schedule 12:18 - 28 Maj, 2022

Nga Mathew Burrows & Robert A.Manning “Atlantic Council”

Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Tre muaj pas pushtimit të Ukrainës nga presidenti rus Vladimir Putin, është zbehur perspektiva e një fitoreje vendimtare të Kremlinit. Por edhe pas dështimeve të Rusisë në fushën e betejës, rezistencës heroike të Ukrainës dhe ndihmës së madhe ushtarake perëndimore ndaj Kievit, “vala” e ngjarjeve nuk ka ndryshuar plotësisht drejtim.

Në prill, ne përcaktuam 4 skenarë mbi rezultatin e kësaj lufte, dhe ai i një “konflikti të ngrirë” nuk dukej shumë i sigurt. Por javët e fundit konflikti po shkon në këtë drejtim. Po si mund të zhvillohet një konflikt i tillë gjatë dy viteve të ardhshme? Ja cilat janë 3 variantet:

Skenari nr.1:Ukraina nis të lëshojë dalëngadalë ndaj Rusisë

Rusia e konsolidon urën e saj tokësore në Gadishullin e Krimesë të kontrolluar nga Kremlini dhe pa siguruar kontrollin e plotë të pjesës tjetër të bregdetit ukrainas në Detin e Zi, e shkatërron ose bllokon qytetin-port të Odesës, duke e lënë vendin pa dalje në det.

Putin vazhdon të bombardojë infrastrukturën diku tjetër anembanë Ukrainës dhe anekson pjesë të jugut dhe lindjes së këtij vendit, duke e destabilizuar më tej atë. Ai shpall “fitoren” ndërsa shtyp me sukses çdo zë kundër në Rusi. Ndërkohë, presidenti rus mund të bëjë thirrje për një armëpushim në fillim të vitit 2023, por nuk do të jetë gati për një marrëveshje paqeje.

Kjo pasi shpreson ende të arrijë përfitime më të mëdha territoriale në të ardhmen (ndoshta lidhjen me Moldavinë) si dhe lëshime nga NATO (si për shembull njohja e Krimesë si territor sovran rus, nëse banorët bien dakord të marrin pjesë në një referendum të mbikëqyrur ndërkombëtarisht).

Sanksionet perëndimore kundër Rusisë do të mbeten në fuqi, dhe kushtet ekonomike në vend përkeqësohen. Por në recesion zhyten edhe Shtetet e Bashkuara dhe Evropa, dhe kjo nxit një pakënaqësi në rritje të opinionit publik për shkak të inflacionin dhe mungesës së mallrave në treg.

Një krizë ushqimore globale, mund të shkaktojë trazira të mëdha nga Sri Lanka në Egjipt (ku po ndihen që tani efektet negative të luftës). Tregtia futet në kaos, ndërsa vendet e mëdha eksportuese si India, Indonezia dhe Malajzia forcojnë proteksionizmin ushqimor.

Vendet e G7 dhe FMN reagojnë me ngadalë, dhe kjo e thellon krizën e borxhit me të cilën përballen vendet në zhvillim. Në Afrikë dhe Azi rritet destabiliteti, ndërsa në Amerikën Latine forcohen politikanët e së majtës ekstreme.

Nga fundi i vitit 2023, nisi të prishet uniteti perëndimor. Të shqetësuar nga kostot ekonomike, vuajtjet e Ukrainës, barra e madhe e refugjatëve dhe frika e përshkallëzimit (duke përfshirë rrezikun e një sulmi bërthamor nga Rusia), Gjermania dhe Franca udhëheqin një përpjekje shumëkombëshe për ta nxitur Kievin të arrijë sa më parë një marrëveshje paqeje me Moskën.

Skenari nr.2:Rusia nuk fiton asnjë territor të ri

Falë taktikave gjithnjë e më kompetente të ushtrisë ukrainase – një vazhdim i atyre të para që gjatë mbrojtjes së Kievit, plus një kundërofensivë e suksesshme në rajonin lindor të Donbasit – në fillim të vitit të ardhshëm, Rusia sprapset sërish në zonat që kontrollonte para 24 shkurtit (duke mbajtur Krimenë dhe pjesët e pushtuara nga separatistët në Donetsk dhe Luhansk).

Por përfitimet e mëtejshme nga Ukraina, do të rezultojnë të vështira për shkak të mbrojtjes së fortë të ushtrisë ruse dhe forcave separatiste. Pavarësisht dërgimit nga Perëndimi të armëve më të avancuara, forcat ukrainase arrijnë një përparim minimal.

Ndërkohë duke u përballur me një pakënaqësi në rritje në Rusi për shkak të një ekonomie në kolaps dhe një ushtrie të rraskapitur e të zemëruar për dështimet e përsëritura operacionale, Putin do të gjendet nën një presion të madh për të arritur një marrëveshje me Ukrainën përpara se kontrolli i pushtetit prej tij të dobësohet akoma më shumë.

Duke filluar nga fillimi i vitit 2023, Turqia, Katari dhe India, do të shtojnë presionin për arritjen e një armëpushim pasi kriza ekonomike globale ngjall ndjenjën e emergjencës. Por e inkurajuar nga suksesi i saj në fushën e betejës, Ukraina heziton, ndërsa edhe Putini shpreson për një ndryshim të situatës në fushën e betejës.

Disda liderë evropianë si presidenti francez Emmanuel Macron do të bëjnë thirrje për bisedime të reja në Gjenevë midis Ukrainës, 5 anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB (që përfshin Rusinë), plus Gjermaninë.

Të inkurajuar nga një fitore dërrmuese e republikanëve në zgjedhjet e mesit të mandatit në nëntorit 2022 në Shtetet e Bashkuara, një numër në rritje ligjvënësish republikanë do t’i bëjnë presion Joe Biden t’i japë fund ndihmës ushtarake të SHBA-së për Ukrainën, për ta ri-fokusuar vëmendjen e Uashingtonit tek Pekini si një kërcënim kryesor i sigurisë.

Skenari nr.3:Ukraina fiton pothuajse gjithçka

Si rezultat i rritjes së ndjeshme të dërgesave perëndimore me armë në Ukrainë, një kolapsi të moralit rus si në nivelet taktike po ashtu edhe strategjike, dhe të paaftësisë së Moskës për të zëvendësuar pajisjet ushtarake në nivelet e nevojshme (falë sanksioneve perëndimore), Rusia dëbohet plotësisht nga Ukraina, me përjashtim të Krimesë.

Por Kievi mund të përgatitet që të rimarrë edhe gadishullin. Në këtë skenar, ekziston një rrezik në rritje i hakmarrjes bërthamore ruse, me synim ndaljen e ndihmën ushtarake perëndimore, e nxitur nga humbja e Rusisë në Ukrainën Lindore të pushtuar më parë nga separatistët.

Ndërsa Ukraina mund të ndërmarrë një ofensivë për të rimarrë Krimenë, Putini vendos atje raketat bërthamore Iskander-M (SS-26), dhe kërcënon t’i përdorë ato nëse përparojnë forcat ukrainase të Kievit. Befas, Lufta e Tretë Botërore bëhet një mundësi reale, sidomos nëse dështojnë përpjekjet urgjente të ndërmjetësimit nga Franca dhe Kina për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit.

Nga ana tjetër, nga mesi i vitit 2023 – gati një vit përpara zgjedheve presidenciale, qëndrimi në pushtet i Putinit kërcënohet nga zemërimi në rritje i qytetarëve rusë. Zyrtarët e lartë të poshtëruar të ushtrisë dhe shërbimeve sekrete e detyrojnë Putinin të japë menjëherë dorëheqjen, por e mbrojnë atë nga ndjekja ndërkombëtare për krime lufte.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë një qasje të ndryshme lidhur me heqjen e disa sanksioneve kundër Rusisë: Nga frika e perspektivës së një Kore të Veriut gjigante në vendin fqinj (në formën e një Rusie shumë të izoluar), Evropa kërkon një kompromis duke hequr sanksionet ndaj naftës, gazit, dhe mallra të tjera ruse sipas një marrëveshjeje, në bazë të së cilës një pjesë e shitjeve ruse të dërgohen si dëmshpërblime në një fond rindërtimi të Ukrainës, të udhëhequr nga Banka Botërore dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Ajo që do të ndodhë më tej në fushën e betejës, do të përcaktojë nëse nga konflikti aktual kryesisht i ngrirë, do të përfitojë në fund Rusia apo Ukraina.

Marrë me shkurtime