Trafiku i shqiptarëve, grupi kishte disa baza në Tiranë

schedule16:01 - 19 Mars, 2018

schedule 16:01 - 19 Mars, 2018

Grupi kriminal, i goditur nga policia, që dërgonte shqiptare në SHBA, Kanada dhe Britani, kishte disa zyra në zona të ndryshme të Tiranës, ku grumbullonte dokumentat dhe kërkesat nga të interesuarit. Policia ka zbardhur edhe itinerarin e dërgimit të shqiptarëve nga ky grup, në vendet e dëshiruara.

Përveç bazës laboratorike, që ndodhej në zonën e “Freskut” në kryeqytet, grupi kriminal që merrej me trafikun e qënieve njerëzore operonte edhe në periferi të Tiranës.

ABC News ka mësuar nga grupi hetimor se, disa banesa ishin marrë me qira edhe në zonën e Unazës së Re, Don Boskos e në Sauk, në emër të anëtarëve të grupit të strukturuar kriminal. Shtëpitë ishin marrë me kontrata të rregullta noteriale. Këto apartamente përdoreshin thjesht për dorëzimin e dokumentave nga persona që do të dërgoheshin në mënyrë të paligjshme në Amerikë, Kanada dhe Britani.

Pas mbledhjes së dokumentave të nevojshme, një herë në javë, ato i dërgoheshin laboratorit të falsifikimit që ishte në zonën e Freskut. Numri i personave të arrestuar për përfshirje në këtë trafik qeniesh njerëzore ka arritur në 40. Mbrëmjen e së dielës u prangos edhe efektivi i pestë i policisë për këtë dosje. Ai dyshohet se ndihmonte me informacion grupin kriminal.

Adriatik Bakiasi denkonspironte operacionet policore dhe prej më shumë se 4 muaj ishte nën monitorim nga Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave. Më herët në pranga ranë edhe katër efektivë të tjerë, me detyrë kontrollorë në Pikat e Kalimit Kufitar, Hani i Hotit dhe Qafë Thanë.

Dy ditë pas goditjes se këtij grupi kriminal, policia ka zbardhur skemën e plotë dhe itinerarin e dërgimit të shtetasve shqiptare në Amerikë, Kanada dhe Britani. Sipas kësaj skeme, të gjithë niseshin nga Shqipëria, më tej nga disa shkonin në Malin e zi, Itali, Kosovë apo Serbi.

Si pika fundore në Europë ishin 3 shtete, Spanja, Belgjika dhe Franca. Ndërkohë për të mbërritur në destinacionet e premtuara, emigrantët e jashtëligjshëm duhet të udhëtonin përsëri, në vendet e tjera tranzit si, Kosta Riko, Panama, Meksikë dhe Republika Domenikane./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!