Rithemelimi përfundon në ritkurrje të PD. Selia blu konfirmon se sot partia më e madhe opozitare ka rreth 50 mijë anëtarë me të drejtë vote.
Në vitin 2013, kur PD ra në opozitë, deri në vitin 2017, me në krye Lulzim Bashën, partia arriti të ruajë një anëtarësi prej 100 mijë demokratësh.
Në vitin 2021, pas humbjes së zgjedhjeve, PD u tkurr në 75 mijë anëtarë me Lulzim Bashën.
Rikthimi i Berishës erdhi me premtime të hapjes së partisë dhe prurjeve të reja, por rezulton se në 5 vite, PD-së me në krye doktorin i janë larguar ose ka përjashtuar 25 mijë demokratë, apo 1/3 e anëtarëve që gjeti në 2021.
Megjithatë, sipas PD-së, në garën e tij me veten, demokratët e mbetur si anëtarë kanë shfaqur interes të lartë për të votuar në referendum. Sipas Komisionit Zgjedhor të PD-së, në 3 orë votime, deri në orën 11 të paradites, votuan rreth 20% e anëtarësisë apo 11 mijë e 900 demokratë nga 51 mijë në total.
Por Ervin Salianji pretendon se edhe kjo është pjesë e farsës në PD. Ai paralajmëron se do të nxjerrë prova se shifrat e selisë blu janë gënjeshtra dhe se deri në mesditë në referendumin e Berishës nuk kanë votuar as 1 mijë demokratë.
Nga ana tjetër, Evi Kokalari ka nxjerrë prova të reja se si prej vitit 2022 në PD manipuloheshin zgjedhjet, duke filluar nga instanca më e lartë në selinë blu, Kryesia.
Kokalari paralajmëron se e njëjta farsë po ndodh edhe në referendumin e kësaj të shtune në PD, ndaj dhe do e vijojë betejën ligjore në Gjykatë.
Tkurret PD në 50 mijë anëtarë, humbje me 1/3 e bazës së selisë blu në 5 vite
schedule13:20 - 23 Maj, 2026
schedule 13:20 - 23 Maj, 2026
