Bashkia e Tiranës është nën kujdestarinë e qeverisë.
Pervec deputetëve të shpërndarë në terren për evidentuar problematikat e qytetarëvë, kryeministri Edi Rama njoftoi krijimin e tre ekipeve të cilat do të merren me menaxhimin e punëve të kryeqytetit, i cili prej 6 muajsh drejtohet me pa kryetar.
“Një grup që drejtohet nga Zëvendëskryeministrja në lidhje me analizën e shërbimeve në bashkinë e Tiranës, një grup që koordinohet nga Ministria e Financave lidhur me analizën e financave dhe një grup që koordinohet nga drejtuesja e Agjencisë së Zhvillimit të Territorit dhe drejtuesen e Agjencisë së Planifikimit Urban dhe nën drejtimin e Persidës që përfshin rreth 60 arkitektë lokalë dhe një numër të konsiderueshëm të huaj të cilat kanë filluar të punojnë për modelet e ndërhyrjeve të këtyre lagjeve dhe zonave ku njerëzit kanë nevojë për hapësirë.”
Po ashtu, në bashkëpunim me Institutin Tony Blair është konceptuar një strukturë e re organizative për bashkinë e Tiranës, e cila do të adoptohet edhe në bashki të tjera të vendit.
Në takimin me deputetë dhe zyrtarë të bashkisë së Tiranës, Rama tha se prioritet është reforma e territorit, e cila do të zbatohet në dy faza.
“Qeveria do ndërhyjë në kushtet e emergjencës me një numër aktesh dhe akte normative që do jetë paralelisht dhe me një akt tjetër për ujin e pijshëm dhe mbetjet. Do të jetë pastaj një fazë të dytë më mbrapa ku do rishikohen të gjitha ligjet që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me territorin, duke filluar nga ligji për ndërtimin që është shumë i vjetër, është prekur në 2-3 raste, por mbetet jashtë kohe.”
Rama e cilësoi ndërtimin pa leje të kateve si një shkelje ligji me vetëdije, ndersa shtoi se nuk do ketë konfiskim të pjesshëm të këtyre godinave, por të plotë.
“Ndërtimi i kateve shtesë për qëllim fitimin, nuk bëhet në një moment, por me muaj, janë një shkelje me vetëdije. Do sjellë kalimin e menjëherë të asaj prone në duart e shtetit. Do të mbrohen blerësit dhe do përdoret pjesa tjetër për strehim, për njerëzit në nevojë.”
Konfiskim do të ketë edhe për ndërtesat e braktisura që prej vitit 1990
“Do marrim një tjetër masë për të konfiskuar të gjitha ndërtimet e braktisura dhe ngrehinat e braktisura që nga vitet 90. Që qëndrojnë si karakatina dhe kanë problematika të natyrës mjedisore dhe shëndetit të njerëzve. Do të sqarojmë edhe aspektin më të cilin kanë luajtur shumë njerëz të sistemit të drejtësisë, që kanë mbajtur anën e shkelësve të ligjit në ndërtime.”
Kryeministri paralajmëroi masa të ashpra për të gjithë shkelësit e ligjit, dhe një listë të zezë që do të përfshijë të gjithë ndërtuesit abuzues. Po ashtu, masa do të ketë edhe për ata të cilët shesin apartamente disa herë.
“Kemi diskutuar dhe do të miratohet me ligj krijimi i një liste të zezë të ndërtuesve dhe investitorëve që abuzojnë me territorin dhe shkelin lejet e ndërtimit. Kush hyn në listën e zezë do humbasë të drejtë të marrë leje ndërtimi dhe do penalizohet nëse përfshihet në industrinë e ndërtimit. “
Rama tha se të paktën, 1463 problematika janë evidentuar në territor teksa një paralajmërim e kishte edhe për ata zyrtarë të cilët mbyllin sytë përpara shkeljeve
“Njerëz që përfaqësojnë shtetin nuk mund dot të luajnë me dy porta në këtë farë feje. Prandaj, duhet të marrin përgjegjësinë e tyre dhe ta mbulojnë territorin sipas përgjegjësisë që kanë dhe thjesht dhe vetëm të informojnë.” / abcnews.al



