Thellohet përplasja Rama-Meta

schedule12:18 - 11 Janar, 2019

schedule 12:18 - 11 Janar, 2019

Mosdekretimi i Gent Cakajt si propozim i kryeministrit për ministër të jashtëm rikthen tensionet mes kreut të Shtetit dhe atij të qeverisë. Pas deklaratave të një dite më parë në rrjetet sociale nga ana e Ramës, Meta ashpërson gjuhën dhe i kujton Kryeministrit se askush nuk mund t’i bëjë presion e shantazh Presidentit të Shqipërisë. Nuk mungoi sërish reagimi i Ramës me nota ironie.

Kreu i Shtetit Ilir Meta ka reaguar ashpër përmes një mesazhi të gjatë në rrjetet sociale, pas deklaratave të kryeministrit Rama në rrjetet sociale lidhur me mosdekretimin e Gent Cakajt nga presidenti Meta.

Kreu i shtetit akuzon Ramën për kërcënim duke e lidhur me ngjarje të ndryshme.

“Ai që guxoi të kërcënojë komisar Zaganin pse denoncoi bashkëpunimin e trafikantëve të drogës me pushtetarët, ai që guxoi të kërcënojë nënkomisarin e Fushë-Krujës pse hetoi dhunimin e një vajze nga djali i një deputeti, ai që guxoi të kërcënojë një profesor të nderuar vetëm pse i shkruajti një letër Presidentit të Republikës në mbrojtje të interesit kombëtar, ai që kërcënon çdo ditë gazetarë e pronarë mediash, ai që kërcënon prokurorë e gjyqtarë, ai që kërcënon opozitarë dhe dëshmitarë, ai që urdhëron falsifikimin e letrave të tenderave e deri tek dokumente të sigurisë kombëtare bëri gabimin fatal të kërcënojë edhe Presidentin e Republikës së Shqipërisë në mënyrë të drejtpërdrejtë”.

Kreu i shtetit i kujton Kryeministrit se askush nuk mund të shantazhojë Presidentin.

“Nuk ka fuqi në botë t’i bëjë presion e shantazh Presidentit të Republikës së Shqipërisë”– vijon më tej Kreu i Shtetit.

Meta thekson se për të si Presidenti i Republikës, interesi kombëtar është mbi çdo gjë.

“Nuk ka Gjykatë Kushtetuese në botë që ndalon e interpreton kompetencat që i jep Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, Presidentit, për emërimin e shkarkimin e ministrave e në veçanti të atyre që janë anëtarë të Këshillit të Sigurisë Kombëtare.Interesi kombëtar i pari! Shqipëria e Para”.

Por permes Twiterit, kryeministri Rama ka lëshuar një reagim për Presidentin:

“Mos e merrni seriozisht ju lutem, ose i ka vjedhur Doktorresha e Shkencave paswordin e faqes zyrtare ose pastaj është në atë fazën kur i bën thirrje popullit për të marrë armët, ngaqë s’di si të dalë nga gropa që i hap vetes. I çova provat e mekatit ndaj Gentit dhe vuan tani”– shkruan Rama.

Përplasja verbale në distancë mes dy krerëve të Shtetit dhe Qeverisë nisi menjëherë pasi Presidenti refuzoi të emërojë Gent Cakajn si ministër të jashtëm, i vetmi ndër propozimet e paraqitura nga Rama për ministrat e rinj që nuk u miratua nga Meta. /abcnews.al