I kërkuar nga autoritetet amerikane si i dyshuar për krime kibernetike.
Një shtetas i Kosovës është ekstraduar këtë të enjte nga Kosova drejt SHBA-ve.
Policia njoftoi se ekstradimi u realizua nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim me njësitë e tjera policore dhe institucionet e drejtësisë.
I dyshuari iu dorëzua njësisë U.S. Marshals të SHBA-së, në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës ‘Adem Jashari”.
Autoritetet kosovare nuk e bënë publik identitetin e të ekstraduarit, moshën e tij apo hollësi për veprat penale për të cilat kërkohet në SHBA.
Por çështjet e krimit kibernetik me bazë në Kosovë dhe ndikim kryesisht në SHBA nuk janë rast i parë.
Në korrik të këtij viti, Policia e Kosovës arrestoi një person në rajonin e Prizrenit, nën dyshimin se kishte siguruar në mënyrë të paligjshme të dhëna bankare dhe personale, kryesisht të qytetarëve amerikanë, dhe i kishte publikuar ato në platforma në internet.
Në një rast tjetër, shtetasi kosovar, Ardit Kutleshi, i ekstraduar në SHBA gjatë vitit 2025, e pranoi fajësinë për vepra penale të lidhura me administrimin e platformës Rydox, përmes së cilës shiteshin të dhëna të vjedhura personale dhe mjete për kryerjen e krimeve kibernetike.
Sipas Departamentit amerikan të Drejtësisë, përmes kësaj platforme ishin realizuar mbi 7.600 transaksione, me të ardhura prej së paku 232 mijë dollarësh.
Nuk dihet ende nëse ekstradimi i 19 nëntorit ka lidhje me ndonjërin prej këtyre rasteve.



