“Testim-testim-testim”, kirurgu i njohur nga SHBA: Amerika ka pësuar tragjedi, u kujtua vonë për masat

schedule18:26 - 2 Prill, 2020

schedule 18:26 - 2 Prill, 2020

Prof. Philip Caushaj një shqiptaro-amerikan dhe një nga kirurgët më të mirë në SHBA, profesor i kirurgjisë, drejtor i kërkimeve kirurgjikale në shkollën e mjekësisë në Universitetin të Connecticut në Harford të SHBA, për të cilin edhe Presidenti i republikës ka dhënë medaljen e “nderit të kombit” në një bisedë me gazetarin Endri Xhafo në ABC News, bëri të ditur situatën që është duke kaluar SHBA dhe eksperiencën personale në lidhje me pandeminë e Covid-19, por edhe mendimin e tij si një nga specialistët më të mirë të mjekësisë, për menaxhimin e situatës nga autoritetet shqiptare.

Sipas Prof. Caushaj, mënyra më e mirë për të parandaluar dhe menaxhuar sa më mirë situatën në SHBA por edhe në botë është testimi masiv i personave.

Prof. Caushaj tha se Koreja e Jugut ishte vendi që ndoqi këtë rrugë, dhe rezultoi se ka tregues shumë të mirë për menaxhimin e situatës së Koronavirusit, se sa të gjithë vendet e tjera.

Biseda e plotë:

Endri Xhafo: Pavarësisht se jeni kirurg, ju jeni marrë me koronavirusin apo jo?

Prof. Philip Caushaj: Po është e vërtetë jam i vendosur në repartin e reanimacionit ku edhe jam i specializuar në këtë fushë, aty ku pacientët kanë nevojë për kujdesin intensiv. Momentalisht jam i vendosur në këtë repart sëbashku me një grup mjekësh të tjerë.

Endri Xhafo: Ju hyni te moshat që statistikisht rrezikoheni më shumë nga koronavirusi, nuk keni frikë për veten tuaj?

Prof. Philip Caushaj: Është e vërtetë që jam i rrezikuar, por është detyra ime të jap kontributin tim dhe të punoj me studentët e mi e të shpëtojmë jetë njerëzish. Zoti e di se kur do vdes njeriu, kështuqë nuk jam i shqetësuar për këtë.

Endri Xhafo: Si paraqitet situata në spitalin e Harford?

Prof. Philip Caushaj:Shumë keq, pacientët e infektuar po rriten cdo ditë në mënyre eksponenciale, nuk kemi mjaftueshëm maska, kemi mangësi të pajisjeve mjekësore, dhe ka filluar kriza e madhe.

Endri Xhafo: Sipas informacioneve të fundit, nga mediat franceze, SHBA ka blerë cash maskat e porositura nga Franca në Kinë, përpara se të hipnin në avion. Sipas jush përse ka ndodhur kjo, si ka mundësi që SHBA  u gjend e papërgatitur?

Prof. Philip Caushaj:Kjo është një tragjedi, nuk ka kuptim tashmë asnjë pasuri e Amerikës kur i gjithë ky komb u gjend kaq i papërgatitur. Sipas parashikimeve që ne bëjmë këtu, do të kemi 100 deri në 250 mijë vetë që mund të vdesin nga koronavirusi, në këto 8 javë që do të vijnë.

Endri Xhafo: Është e vërtetë që shifrat janë rritur, si paraqitet Connecticut ku ju jeni?

Prof. Philip Caushaj:Kemi një rritje të të infektuarve vazhdimisht. Në spitalin ku unë punoj janë 1000 shtretër, jemi lodhur të them të vërtetën, si mjek, infermierë dhe gjithë stafi.

Endri Xhafo: A keni frikë se mos ju ndodh situata e veriut të Italisë ku mjekët vendosin se kush do të jetojë dhe kush jo nga mungesa e kushteve dhe respiratorëve?

Prof. Philip Caushaj:Është një ëndërr e keqe për të gjithë ne doktorët, dhe nuk dua të mendoj këtë gjë. Jemi të betuar për të shpëtuar jetë dhe jo të lejojmë njerëzit të vdesin, nuk arrij ta imagjinoj dot. Mendoj që guvernatori i shtetit të New Yorkut i bëri gjërat mirë dhe në kohë. Por mos harroni se kur filloi kriza njerëzit ishin të infektuar dhe ne nuk e dinim dhe nuk dinim as krizën. Njerëzit po qarkullonin të lirë në publik, dhe infektuan në një kohë të shkurtër shumë persona.

Endri Xhafo: Trump refuzoi ta karantinojë New Yorkun, a duhet ta kishte karantinuar një qytet tjetër përvec New Yorkut?

Prof. Philip Caushaj:Ta kishte bërë do ishte mirë. Si shqiptar besoj që Trumpi mori vendime për arsye financiare dhe politike të tij, kaq mund të them.

Endri Xhafo: Javën  e kaluar 6.6 milion amerikanë u regjistruan si të papunë, si mendoni se SHBA do ta përballojë ekonomikisht këtë krizë?

Prof. Philip Caushaj:Kam frikë se kombi im do bjerë në një depresion pas kësaj situate sepse është e zorshme ta rifillosh ndërtimin e ekonomisë përsëri. Ne nuk dimë akoma se sa amerikanë do të preken nga kjo sëmundje, ne kemi nevojë për testime dhe nuk po bëhen mjaftueshëm. Ne kemi  nevojë për një testim masiv.

Endri Xhafo: Ky debati i testeve është debat botëror, ju filluat të ndiqni shembullin e Koresë së Jugut, ku testonit njerëzit nga makina, më pas u tërhoqët. Pse ky ndryshim?

Prof. Philip Caushaj:Nuk kishim mjaft teste, po të kishim teste mjaftueshëm, do të kishim rezultate më të mira dhe do e kishim frenuar ashtu si bëri Koreja. Po të kishim teste mjaftueshëm do të testonim cdo person dhe do izolonim të infektuarit. Ndërkohë që ja ku na ndodhi një tragjedi. Po të shohësh Korenë ajo ka tregues më të mirë se të tjerët sepse testoi shumicën e personave.

Endri Xhafo: Përse autoritetet sanitare në çdo vend të botës patën hezitim që ti paraprinin kësaj situate?

Prof. Philip Caushaj:Çdo gjë që unë mund të them është spekulim, dhe diskutimi për këtë spekulim është i kotë. Ne tani duhet të mendojmë si ta luftojmë këtë infeksion.

Endri Xhafo: Si mund të luftohet?

Prof. Philip Caushaj:Kombi amerikan deri më sot nuk ka organizuar asgjë deri tani. Duhen bashkuar të gjithë resurset  dhe duhen vendosur aty ku ka nevojë populli, ka nevojë për një organizim më të madh se kaq.

Endri Xhafo: Në këto kohë krize pandemie, aksesi në kujdesin shëndetësor është i barabartë, një njeri që preket nga virusi e merr njëlloj trajtimin?

Prof. Philip Caushaj:I sëmuri që vjen në spitalin tonë me koronavirus, ne e shohim pacientin nga sëmundja dhe jo nga xhepi por kjo nuk ndodh në të gjithë spitalet amerikane fatkeqësisht.

Endri Xhafo: Në spitalin tuaj me çfarë mjekimi jeni duke i trajtuar pacientët, sepse nuk ka një protokoll?

Prof. Philip Caushaj:Kjo sëmundje fatkeqësisht ka vetëm dy rrugë për pacientët. Shumica e pacientëve e marrin dhe bëhen mirë, por ata që janë në gjendje kritike kanë nevojë për suportin ventilator, virusi dëmton indet e mushkërive ndaj ka nevojë për respiratore, ne e dimë trajtimin por fatkeqësisht nuk kemi mjaftueshëm ventilatorë për të sëmurët. Jemi si në luftë ku vijnë shumë të plagosur. Deri sot ne nuk kemi evidenca që medikamente specifike janë të efektshme 100 % mbi këtë sëmundje, ne i përdorim kur shohim që duhet të luftojmë për jetën e pacientit, por fakte se këto medikamente që përdorim janë të efektshme nuk kemi.

Endri Xhafo: Kur mendoni ju si mjek se do ishte e mundur prodhimi dhe dalja e vaksinës?

Prof. Philip Caushaj:Doktor Fauci do të marri deri në 18 muaj për nxjerrjen e  vaksinës efektive. Kjo sëmundje fatkeqësisht do të vijë si puna e dallgëve, në këtë periudhë kemi dallgën më të madhe, do të ketë dallgë tjetër më të lehtë, do ketë përsëri tjetër në tetor dhe kështu që e dimë se kjo luftë nuk do mbaroj shpejt.

Endri Xhafo: E njihni situatën në Shqipëri?

Prof. Philip Caushaj: Po e di situatën, kam qenë në kontakt çdo ditë me kolegun dhe rektorin Arben Gjata, dhe me CEO-n e Spitalit Amerikan Klodjan Allajbeu, që po mundohet të bëj çmos të ndihmoj popullin shqiptar.

Endri Xhafo: Si ju duken masat e marra në Shqipëri?

Prof. Philip Caushaj:Ministrja Manastirliu dhe Rama kanë ndjekur një rrugë shumë të mirë për të frenuar këtë sëmundje. Mos harroni që Shqipëria mund të jetë vend i vogël por shqiptarët duhet të lëvizin në vende të tjera për të siguruar ekonominë e tyre dhe duke qenë kështu izolimi është tepër i efektshëm për ta.

Endri Xhafo: Si mendoni, kur do jetë fundi i kësaj pandemie?

Prof. Philip Caushaj: Fundi i pandemisë do vijë kur dallga e madhe të kalojë, të rrezikuarit më të mëdhenj të izolohen duke pritur që të dalë vaksina, vetëm atëherë do të përfundojë. Si shqiptar unë u them gjithë bashkë kombasve të mi që të kujdesen dhe të respektojnë rregullat e higjienës./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!