I ftuar në Real Story, deputeti socialist Erion Braçe ka folur për reformën Territoriale dhe procesin zgjedhor, duke theksuar se çdo ndryshim në këtë drejtim lidhet drejtpërdrejt me votat dhe fushatën elektorale, ndërsa ka shprehur mbështetje për qëndrimet e tij dhe të një grupi kryetarësh bashkish.
Braçe u shpreh se kryetarët e bashkive kanë rol të rëndësishëm në mbrojtjen e territorit dhe në rezultatet politike, duke shtuar se në këtë proces nuk duhet të shmanget apo të relativizohet asnjë faktor.
Ai kritikoi gjithashtu mënyrën e zhvillimit të fushatës në Tiranë, duke vënë theksin te mungesa e kontaktit të drejtpërdrejtë mes kandidatëve dhe qytetarëve.
Sipas tij, politika duhet të mbështetet më shumë te kontakti i drejtpërdrejtë me qytetarët, duke theksuar se ai vetë preferon të jetë më shumë në terren sesa në zyrë për të kuptuar realitetin.
“Çështja e reformës s’ka avantazh që është në kohë para zgjedhjeve lokale. Kjo reformë do vota, s’është kërcënim dhe unë do mbroj qëndrimet e mia, nuk them do votoj kundër. Do mbroj qëndrimet e një grupi të madh kryetarësh bashkie, mua më duhet fryma.
Janë ata kryetarë bashkie që mbrojnë territorin dhe kanë kontribut politik në rezultate, në këtë proces nuk duhen shmangur dhe relativizuar asnjë faktor.
Unë mendoj që jemi vonë për atë proces që unë e kërkoj. Fushata elektorale që kam parë në Tiranë nuk mjafton për ta fituar bashkinë. Unë jam mësuar të shkoj dy herë në lagjen që mbulon ajo qendër votimi, pa e parë fshatarin në sy nuk ia merr dot votën.
Ajo që kam ndjerë në Tiranë është mungesa e kontaktit të drejtpërdrejtë mes kandidatit dhe qytetarit. Të vërtetën dua ta mësoj nga njerëzit, ndaj jam shumë më tepër në rrugë sesa në zyrë.”


