Tërmeti në Turqi, vijojnë operacionet e kërkim-shpëtimit

schedule13:42 - 31 Tetor, 2020

schedule 13:42 - 31 Tetor, 2020

Ekipet e shpëtimit turke po kërkojnë ende nëpër rrënojat e ndërtesave të shembura nga tërmeti i fuqishëm i së premtes, raporton BBC

Numri i të vdekurve nga tërmeti, i cili goditi gjithashtu ishullin grek të Samos, është rritur në 27 dhe janë raportuar mbi 800 të plagosur.

Njëzet e pesë njerëz u vranë në Izmir, në perëndim të Turqisë, sipas zyrtarëve. Një vajzë dhe një djalë vdiqën në Samo, pasi një mur u shemb mbi ta.

Zyrtarët thanë se operacionet e kërkimit- shpëtimit kanë përfunduar në tetë ndërtesa, ndërsa operacionet po vazhdojnë në nëntë  të tjera.

Rreth 100 të mbijetuar janë nxjerrë të gjallë nga rrënojat deri më tani. Mes atyre që janë bllokuar janë një nënë dhe katër fëmijët e saj në qendër të qytetit.

Ndërkohë, një vajzë 16-vjeçare dhe qeni i saj u nxorrën të gjallë nga rrënojat në orët e para të mëngjesit të së shtunës, sipas gazetës turke Sozcu.

Autoritetet në Izmir kanë ngritur një tendë për të strehuar rreth 2,000 persona brenda natës, mes frikës se më shumë ndërtesa të tjera mund të shemben, transmeton abcnews.al

Pothuajse 4,000 anëtarë të forcave të shpëtimit, 475 automjete dhe 20 qen janë në gatishmëri për të gjetur të mbijetuar, raporton agjensia shtetërore e lajmeve Anadolu e Turqisë.

Por puna e tyre është penguar nga 400 pas goditje të tërmetit, sipas agjensisë kombëtare të fatkeqësive të Turqisë Afad./abcnews.al