Tërmet me pasoja tragjike në Shqipëri, 16 viktima, dhjetra nën rrënoja

schedule15:34 - 26 Nëntor, 2019

schedule 15:34 - 26 Nëntor, 2019

Një tërmet i fuqishëm me përmasa shkatërruese ka goditur mëngjesin e kësaj të marte vendin tonë.

Disa lëkundje të njëpasnjëshme shkundën Shqipërinë, dhe më i forti, u shënua në orën 03:55 të mëngjesit të së martës, me magnitudë 6.4 të shkallës Rihter.

Nga ky tërmet me epiqendër në Durrës 16 persona kanë vdekur dhe numri nuk është përfundimtar. Disa ndërtesa të shkatërruara në Durrës dhe dy pallate të rrënuara në Thumanë, kanë zënë dhjetra njerëz poshtë.

10 viktima janë shënuar në Durrës, 5 në Thumanë dhe një në Kurbin.

Forcat speciale dhe vetë banorët kanë shpëtuar 41 persona, dhe përpjekjet vazhdojnë.

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu deklaroi se në urgjencën kombëtare ka pasur rreth një mijë thirrje për ndihmë, ndërsa të lënduarit janë mbi 600.

210 të lënduar janë paraqitur pranë Traumës, nga të cilët 9 janë në gjendje të rënduar.

Rreth 1,900 forca policie janë të angazhuara në terren, ndërkohë që ndihma kanë ardhur nga shtete të tjera.

Forcat e Armatosura të Shqipërisë kanë nisur ngritjen e çadrave për të strehuar të gjithë banorët e prekur.

Fillimisht çadrat kanë nisur të hapen në Fushë-Krujë e Durrës, për shkak se zonat më të prekura nga ky tërmet ishin në Thumanë dhe në qytetin e Durrësit.

Flamuri Kombetar në Institucionin e Presidentit të Republikës është ulur në gjysëm shtizë. Z. Meta tha se kjo është shenjë nderimi për jetët e humbura nga kjo fatkeqësi e madhe për mbarë vendin tonë! /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!