Mbi 80% e shqiptarëve janë kundër protestave të dhunshme të Sali Berishës. Sipas sondazhit Zëri i Shqiptarëve në Abc News, i cili mori opinionin e qytetarëve në 24 orë pas protestës maratonë në Tiranë, rreth 60% e shqiptarëve e lidhin aksionin me Molotov e fishekzjarrëve, jo me qëllimin për të rrëzuar Ramën, por rizgjedhjen e kryetarit të PD.
22.7% thonë se pjesëmarrja e tkurrur e protestës tregon vlerën e saj, kurse vetëm 17%, militantë demokratë, besojnë se nuk ka rrugë tjetër për opozitën.
Po kaq, 80% e shqiptarëve janë gati për referendum. Shumica dërrmuese e qytetarëve mirëpresin propozimin e Ramës, por ndahen tek pyetja e referendumit.
40.3% janë dakord të votojnë për reformën politike, për të ulur e numrit të deputetëve në 101. kurse 40.5% të tjerë janë gati të votojnë edhe për drejtësinë, raportin e saj me qeverinë.
Vetëm 19.2%, apo elektorat demokrat, janë kundër referendumit. Sipas tyre, vendi duhet të shkonte në zgjedhje të reja, siç kërkon Berisha.
Qeveria tani ka një tjetër sfidë, krizën e Lindjes së Mesme. 23.4% e shqiptarëve mirëpritën masat e para për të kontrolluar rritjen e çmimit të naftës dhe ndihmuar pensionistët, kurse 76.6% kërkojnë më shumë, si masa për rritjen e çmimeve të ushqimeve apo paketë ndihme edhe për shtresa të tjera përveç pensionistëve.
Megjithatë, shqiptarët janë pesimistë për konfliktin në Iran. 40.3% thonë se do zgjasë më shumë se sa pritej, po kaq të tjerë, janë të mendimit se nuk duhet të kishte filluar fare.
Vetëm 19.4% janë shpresëplotë se do të mbarojë shpejt.
Por pavarësisht krizës nga njëra anë, dhe protestave poshtë zyrës nga ana tjetër, PS gjatë javës u rrit me 0.1%, brenda marzhit të gabimit.
Kurse PD vijon pikiatën pa ndalim. 1.6% e rrëzuan molotovët e fishekzjarret Berishën në përvjetorin e 22 marsit. Por nëse në 22 mars të vitit 1992, PD e Berishës fitonte me mbi 1 milion vota, apo 57% të shqiptarëve, sot PD është më keq edhe se nga viti më i errët i saj 1997, kur ishte të paktën 25%. Sot PD është 22%.
Nga njëra anë Berisha vetëpërjashton Salianjin për të siguruar vendin e parë në PD, nga ana tjetër zvetënon partitë e vogla të cilat bien bashkë me PD, por sërish vendin e dytë e ka humbur. Në vendin e dytë vijon rritet me diferencë shpresa e shqiptarëve për një parti të re politike, pa molotovë, pa fishekzjarrë, pa dhune dhe pa Berishë.

