Ngjarja e ndodhur në korrik të vitit 2023 ne lagjen “Sheq i Madh” ku u plagos rëndë Orges Buzi 35 vjeç kishte motiv konfliktin mes tij dhe Ledion Nebiu alias Enea Nastasi nga Patosi 33 vjeç dhe Klenis Kazazaj nga Durrësi. Ky i fundit u kap në janar të vitit 2025 në Durrës në operacionin e koduar “Distanca”.
Prokuroria ka dërguar dosjen për gjykim dhe ka artikuluar tre akuza.
Për vrasje me dashje mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje akuzohet shtetasi Enea Nebiu i cili vazhdon të jetë në arrati. Masa e sigurisë arrest me burg dhe hetimet ndaj tij po zhvillohen në mungesë. Klenis Kazazaj sipas njoftimit të prokurorisë ka qenë pasagjer në automjetin nga ku u qëllua me armë drejt Buzit. Ai akuzohet për moskallzin krimi.
Sherri nisi në orët e para të mëngjesit të 30 korrikut të vitit 2023 në një lokal në lagjen “Sheq i Madh” ku Orges Buzi ishte në shoqërinë e disa miqve. Rreth orës katër të mëngjesit, Enea Nebiu dhe Klenis Kazazaj janë afruar pranë tryezës ku ndodhej Buzi me shoqërinë por ky i fundit u ka kërkuar të largoheshin pasi dukeshin të dehur.
Kjo ka çuar në debat mes tij dhe Nebiut i cili u largua me automjetin e tij për t’u rikthyer një orë e gjysmë më vonë, rreth orës 6:00 për të sqaruar debatin me Buzin. Por në vend të sqarimit të situatës ata kaluan në sharje e fyerje duke bërë që 33 vjeçari të shkonte në makinën e tij bashkë me mikun e tij Kazazaj.
Ai ka nxjerrë një armë tip pistoletë nga kroskoti i automjetit dhe ka qëlluar disa herë në drejtim të Buzit. Ky i fundit u plagos rëndë por i mbijetoi plagëve. Megjithatë kontrollet intensive pas ngjarjes dhe në vazhdim, Enea Nebiu vazhdon të jetë në arrati.


