Tensioni i ditëve të fundit, SHBA dhe Rusia zhvillojnë diskutime serioze

schedule22:43 - 19 Mars, 2021

schedule 22:43 - 19 Mars, 2021

Shtetet e Bashkuara thonë se kanë zhvilluar “diskutime serioze” me Kinën, pavarësisht “teatrove” që bëri pala tjetër dhe se diplomatët amerikanë nuk do të lejojnë që incidente të tilla nga pala kineze të zhvendosin vëmendjen nga parimet dhe temat kritike që duhen trajtuar, tha Departamenti i Shtetit të premten.

“E dimë se nganjëherë këto prezantime diplomatike mund të ekzagjerohen, ose thjesht përdoren për të ndikuar tek opinioni publik vendas,” tha zëdhënësja Jalina Porter në një konferencë për shtyp.

“Por nuk do të lejojmë që skena të tilla nga pala tjetër të na pengojnë në synimin tonë në këtë takim, i cili ka si objektiv të parashtrojë parimet, si dhe pritshmëritë. Ne do t’i zhvillojmë këto biseda me Kinën,” tha zonja Porter.

Zëdhënësja shtoi se sesionet e së enjtes përfshinin “diskutime serioze”.

Zyrtarë amerikanë dhe kinezë patën një shkëmbim me tone të acaruara në hapje të takimit të Alaskës, gjë që ekspozoi tensionet mes dy fuqive më të mëdha ekonomike të botës. Porter theksoi se Shtetet e Bashkuara i bënë thirrje Kinës të lirojë shtetasit kanadezë Michael Spavor dhe Michael Kovrig, “të ndaluar në mënyrë arbitrare dhe të papranueshme”.

Ajo shprehu shqetësimin e thellë të Shteteve të Bashkuara lidhur me vendimin e Pekinit për të zhvilluar një seancë të mbyllur gjyqësore për zotin Spavor dhe planet për të filluar gjyqin kundër zotit Kovrig të hënën. Të dy akuzohen nga Kina për spiunazh.

Kina arrestoi zotin Spavor dhe zotin Kovrig në dhjetor 2018, pak pasi policia kanadeze ndaloi Meng Wanzhou, shefe e financave për kompaninë teknologjike kineze Huawei Technologies, bazuar në një urdhër-arresti të nxjerrë nga Shtetet e Bashkuara. /VOA/