Duket se pakujdesia dhe neglizhenca me thirrjet telefonike ka çuar në pranga, pronarin e 613 kilogramëve kokainë, Arbër Çekaj, që u ndalua të premten në shtetin gjerman. 38-vjeçari, kishte telefonuar të afërmit e tij nëpërmjet rrjeteve sociale, duke bërë të mundur lokalizimin dhe më pas identifikimin e tij në qytetin e Dusseldorf-it.
Një telefonatë e kryer në drejtim të familjes së tij ka identifikuar vendndodhjen në Gjermani të Arbër Çekajt, i cili u prangos mëngjesin e së premtes në periferi të Dusseldorf-it. Burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur për ABC News se thirrja telofonike ishte bërë nëpërmjet rrjeteve sociale afërsisht 20 ditë më parë.
Pavarësisht se pronari i “Arbri Garden” në kontenierin e të cilit në vend të bananeve u gjetën 613 kilogramë kokainë e ardhur nga Kolumbia, i ndërronte numrat “SIM” herë pas here, ai nuk kishte ndërruar aparatin celular me të cilin kishte kontaktuar më herët me personat e tij të afërm.
Por ka qenë pikërisht kodi i “IMET-it” i aparatit telefonik, ai që zbuloi dhe lokalizoi më pas vendodhjen e Çekajt. Ndërkohë nga qelizat telefonike, Arbër Çekaj, dyshohet se kishte udhëtuar edhe në shtetin e Holandës me identitetin e ndryshuar, duke marrë mbiemrin e bashkëjetueses së tij, Jansen. Për këtë arsye në hetim janë përfshirë edhe policia e holandeze në bashkëpunim me atë gjermane dhe shqiptare.
ABC News mësoi nga burime të Policisë së Shtetit se për prangosjen e 38-vjeçarit kishin shkuar edhe oficerë të Krimeve të Rënda nga vendi ynë në drejtim Berlinit. Gabimi dhe pakujdesia rezultoi fatale për Arbër Çekaj, ku pritet që në ditët në vijin ai t’i nënshtrohet procedurave të ekstradimit drejt Shqipërisë. Prokuroria e Krimeve të Rënda ka nisur një hetim penal ndaj të prangosurit në Gjermani dhe pritet që 38-vjeçari t’i bashkohet të prangosurve në fund të Shkurtit, menaxherit të “Arbri Garden”, Donaldo Lushaj dhe drejtuesi i kamionit, Armando Pezaku.
Kontenieri, që në ngarkesën e tij duhej të kishte vetëm banane ishte nisur nga Kolumbia dhe kishte kaluar tranzit në disa porte detare, si Itali, Maltë dhe Durrës, për t’u sekuestuar më pas në magazinën e Arbër Çekaj në Mamanis. Sipas hetimeve, trafikantët kishin krijuar një hapësirë të dyfishtë në kontenier, ku edhe kishin fshehur sasinë e kokainës të cilësisë së lartë, vlera e të cilës shkonte rreth 180 milionë euro. /abcnews.al