“Teatri me futbollistë skllevër të mbarojë”, Kokëdhima-Ramës: Jemi ne të shfrytëzuarit

schedule13:42 - 12 Shtator, 2020

schedule 13:42 - 12 Shtator, 2020

Koço Kokëdhima i ka kthyer përgjigje kryeministrit Edi Rama, i cili dy ditë më parë reagoi për vendimin e klubeve të Superiores për të shtyrë kampionatin elitar të futbollit në vend. “Teatri me futbollistë skllevër duhet të mbarojë”, deklaroi kreu i qeverisë mes të tjerash, ndërkohë presidenti i Apolonisë ka mendim ndryshe.

I pyetur nga gazetarët, pas mbledhjes së sotme të Ligës Profesioniste të Futbollit, mbi ato që Rama tha, Kokëdhima shtoi: “Për cilin koment e keni fjalën, për atë të skllavërimit që i bëjmë ne futbollit? Ne nuk jemi skllavopronarë, ne nuk kemi skllavëruar askënd. Nuk i kemi marrë lirinë askujt, ne nuk kemi shfrytëzuar askënd.

Ne jemi të shfrytëzuarit, ne jemi të vetmit kontribuues dhe ato buxhetet e varfra të provincave që mbajnë futbollin gjallë prej 30 vitesh. Vetëm qeveritë e këtij vendi kanë skllavëruar popullin tonë, ne nuk kemi skllavëruar askënd”.

LEXO EDHE: Mbledhja e Ligës së Futbollit, Kokëdhima: Ka kaluar çdo limit, ja vendimi ynë!

ÇFARË DEKLAROI RAMA – Dy ditë më parë, kryeministri Edi Rama u pyet mbi shtyrjen e Kategorisë Superiore. Kundërsulm dhe ftesë për të diskutuar, ndërkohë që ABC News një ditë më parë raportoi se kreu i qeverisë ka ngarkuar Fidel Yllin për të biseduar me Ligën Profesioniste të Futbollit.

“Nëse mund të bëjmë diçka më shumë, jemi gati ta bëjmë, por që futbollistët të vazhdojnë të trajtohen si skllevër në informalitet të plotë, të marrin rroga më të mëdha se të gjithë të tjerët në këtë vend dhe të jenë të pasiguruar, të deklarohen sikur janë punonjës fasonesh me rrogë minimale, kjo nuk mund të vazhdojë”

“Kemi krijuar hapësirën që të mund të deklarojnë për një periudhë të caktuar pa paguar tatim fitimi, por ama duke qenë të detyruar të deklarojnë një pagë mbi një nivel të caktuar, siç është në të vërtetë. Ky teatër me klube dhe futbollistët që janë skllevër dhe nuk i paguajnë shtetit asgjë dhe janë në të zezë, duhet ta mbarojë”.

Në lidhje me bojkotin ai ka shtuar: “Duhet një qasje mirëkuptuese. Nëse bëhet fjalë për përmirësim, nuk ka problem. Kemi adresuar ato që kemi diskutuar. E mira s’ka fund. Le të vijnë, le të flasin. Kanë bojkotuar kampionatin, është vendimi i tyre. Nuk marrin urdhra nga ne dhe nuk mund t’i detyrojmë që të mos e bojkotojnë kampionatin”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!