Shpenzimet e turistëve të huaj në Shqipëri gjatë vitit 2024 vlerësohen në 4.5 miliardë lekë.
Eksperti i turizmit, Ferjolt Ozuni thotë se jemi ende larg shifrave që duhet të arrijmë bazuar në kapacitetin që ka vendi ynë në industrinë e turizmit. Në një intervistë për “Money Report”, ai tha se qeveria duhet të rishikojë draft strategjinë për industrinë turistike që është hedhur për konsultim.
“Është 4.5 miliardë euro të ardhura nga turizimi për 2024 pavarësisht se nuk duket vlerë shumë e mirë. Është poshtë pritshmërive tona, për aq kohë sa prisnim në numër 15 milionë turistësh por ajo që bie më shumë në sy është se ka pasur rritje të çmimeve dhe ndikimi i inflacionit kemi ngelur këtu. Jemi ende shumë poshtë potencialeve që vendi ynë ka. Është për t’u rishikuar apo rimenduar strategjia e të gjithë industrisë turistike përfshirë draft strategjinë që është hedhur për konsultim. Duhet rishikuar mënyra se si institucionet shtetërore mund të ndihmojnë dhe të rrisin kapacitet e industrisë turistike që të ardhurat të jenë më të larta. Kjo mungesë të ardhurash në pritshmëritë tona tregon pamundësinë apo paditurinë e operatorëve turistikë në të gjitha hallkat e veta. Ne duhet të mësojmë ta “shesim” Shqipërinë në mënyrë që turisti të ketë nevojë për t’u rikthyer. Jemi ende larg kapaciteteve që vendi ynë ka dhe ne duhet të mësojmë t’i shfrytëzojmë.”, u shpreh eksperti.
Ai vlerësoi se paketa e maleve është një alternativë e mirë për të arritur targetin e turistëve.
“Paketa e maleve është alternativë e mirë për të arritur targetin. Qeveria po e bën me sa ka mundësi punën e vet por nuk dinë edhe operatorët se çfarë të kërkojnë nga qeveria. Kam thënë se është një nga masat e duhura që qeveria i vjen në ndihmë në plan të dytë popullsisë së zonës dhe së dyti industrisë turistike. Ajo çfarë qeveria ndoshta ka marrë parasysh apo duhet të marrë është se ripopullimi i zonave malore kërkon shërbime mbështetëse, shërbimi mjekësor, arsimor, infrastruktura rrugore. Në Vermosh me një investim të Fondit Shqiptar të Zhvillimit është kthyer një ndërtesë e vjetër në një hotel dhe po i shërben të gjithë zonës duke i kthyer turistët edhe njëherë në Vermosh dhe duke i dhënë gjallëri të gjithë zonës.“, shtoi Ozuni./abcnews.al