Kanë kaluar vetëm disa ditë nga mbyllja e thuajse të gjitha sporteleve të shërbimeve në vend. Siç ishte njoftuar edhe më herët, tashmë çdo lloj veprimi do të bëhet online, përmes e-Albania. Megjithatë, siç u ngrit shqetësimi edhe më herët, të moshuarit kryesisht nuk dinë t’i përdorin pajisjet e zgjuara. Dhe, sot në mëngjes ka pasur fluks qytetarësh dhe një situatë kaotike tek ADISA në Fier.
Një numër i madh qytetarësh, kryesisht të moshuar, kanë mbetur jashtë dyerve të mbyllura të zyrave të ADISA-s. Në derë ishte ngjitur një shënim: Nga 1 maji 2022, shërbimet ofrohen online në e-albania.
Mesa duket nga kjo situatë po përfitojnë tashmë edhe bizneset private, që siç tregon një qytetare, për printimin e një flete A4 i kanë marrë 400 lekë të reja.
Kurse, dy pensionistë që kanë aplikuar për pasaportë shprehen për mikrofonin e ABC se u kanë thënë që t’i ndihmojnë fëmijët për aplikimin, por thonë se fëmijët i kanë jashtë.
“Aplikim për pasaportë. Vajtëm atje, paguam lekët. Thanë ata ke aplikuar? Jo. Duhet të gjesh një fëmijë, unë s’kam fëmijë i kam jashtë. Ik te ADISA thanë. Erdha këtu, jo thanë. Ku të vemë? Nuk dimë ne të aplikojmë online. Do vemi në shtëpi. Pse mbajti lekë? S’di gjë unë, pagova 75 mijë lekë.”
Një tjetër qytetar thotë që po presin me orë të tëra me shpresën se dikush do t’u hapë derën, por është bërë e qartë nga qeveria se hapje të sporteleve nuk do të ketë.
“Ne po presim të mbyllim letrat e pensionit po nuk dimë t’i bëjmë online. Ne nuk shohim nga sytë, jo më të. Të mbajnë një zyrë aty, të na shërbejnë ne moshatarëve. Nuk kemi cfarë të bëjmë po rrimë kot këtu. Mbajmë shpresën se mos i hapin.”
Një qytetar madje ka tentuar që të hapë me forcë derën e zyrave të ADISA-s, por nga brenda nuk ka ardhur asnjë përgjigje.
Kujtojmë se, drejtoresha e Agjencisë së Bashkëqeverisjes Eridana Cano, e ftuar më 27 prill në Radari Informativ në ABC theksoi se në asnjë lloj skenari, nuk do të ketë më kthim sportelesh.
E pyetur se çfarë do të ndodhë me ata qytetarë që nuk kanë akses në pajisje të zgjuara apo internet, dhe me ata që nuk i kanë njohuritë për të përdorur këto sisteme, Cano tha se këta persona duhet t’u drejtohen të afërmve apo më të rinjve për t’i ndihmuar.
Ajo theksoi po ashtu, se shërbimet online do të ofrohen në një formë tejet të thjeshtëzuar, megjithatë, sa duket edhe nga situata në Fier, pensionistët kryesisht i kanë fëmijët larg dhe nuk po dinë si të veprojnë me procedurat që tashmë duhet t’i bëjnë të gjitha nga celulari.
Sa i përket sporteleve, përjashtim do të bëjnë disa sportele të reduktuara të Gjendjes Civile që tashmë do të jenë 150 në të gjithë territorin dhe ato të DPSHTRR pasi kanë nevojë për prani fizike. Po ashtu do të vijojnë të operojnë edhe agro-pikat. /abcnews.al/