“Të gjithë në fuoristradë”, detaje nga aksidenti në Pogradec

schedule22:29 - 10 Korrik, 2019

schedule 22:29 - 10 Korrik, 2019

Nëntë persona të plagosur, dy prej të cilëve në gjendje të rëndë është bilanci i aksidentit të rëndë që ndodhi në fshatin Vërdovë të Pogradecit.  Mësohet se të rinjtë i përkasin moshave 30-35 vjeç udhëtonin të gjithë në një mjet fuoristradë.

Gazetarja Daniela Zisi raportoi për Abc News se disa prej të rinjve udhëtonin brenda kabinës së mjetit, ndërsa një pjesë tjetër në pjesën e hapur mbrapa.

“Të rinjtë udhëtonin në të njëjtin mjet. Bëhet fjalë për një mjet tip “Land Rover”. Disa ishin në kabinë, të tjerët kanë qenë në pjesën tjetër të mjetit. Mjeti ka qenë i hapur sepse në fshatrat malore kështu bëhet transporti me mjete fuoristrada që janë të hapura. Disa prej të rinjve kanë qenë brenda kabinës aq sa ka marrë kabina, të tjerët kanë qenë sipër. Duket që më të dëmtuarit kanë qenë ata që kanë qenë në pjesën e hapur të makinës. Paraprakisht këtë shpjegim jep policia për rrethanat në të cilat mund të ketë ndodhur aksidenti gjithsesi pritet që nesër në mëngjes kur të këqyret vendi i ngjarjes më me detaje do të marrim vesh se cili ishte shkaku dhe çfarë ka ndodhur realisht”, tha gazetarja në një lidhje direkte.

Dy personat që ndodhen në gjendje kritike për jetën janë dy vëllezër. Ata janë transportuar për të marrë ndihmën e parë në Tiranë. Shtatë të rinjtë e tjerë ndodhen në spitalin e Pogradecit dhe mjekët thonë që gjendja e tyre është e stabilizuar.

Të rinjtë po udhëtonin nga Kalivaçi në drejtim të Pogradecit. Paraprakisht dyshohet se shkak për aksidentin e rëndë të jetë bërë lagështia, por nuk përjashtohet as mundësia e shpejtësisë tej normave të lejuara./abcnews.al