Talebanët kontrollojnë telefonat, afganët ankohen për keqtrajtime

schedule11:55 - 30 Nëntor, 2021

schedule 11:55 - 30 Nëntor, 2021

Yasir kishte mbyllur dyqanin dhe po shkonte drejt shtëpisë së tij në kryeqytetin e Afganistanit, Kabul, kur u ndalua nga luftëtarët talibanë, të cilët kërkuan të kontrollonin telefonin e tij të mençur.

“Ata kontrolluan telefonin tim dhe panë fotografi të mia duke luajtur sporte, duke ushtruar në palestër dhe duke u shoqëruar me miqtë e mi”, tha Yasir për Radion Azadi të Radios Evropa e Lirë.

Yasir nuk e dha emrin e tij të vërtetë nga frika e hakmarrjes së talibanëve.

“…pastaj më rrahën. Më goditën me shuplakë dhe më shkelmuan, sepse kisha lëshuar muzikë në telefonin tim. Nuk mund të bëja gjë tjetër veçse të pyesja veten se çfarë krimi kisha kryer”, u shpreh Yasir.

Yasir nuk është vetëm. Afganët në të gjithë vendin ankohen se luftëtarët talibanë po futen në fotografitë dhe videot personale, kontaktet dhe llogaritë e rrjeteve sociale në telefonat e tyre të mençur.

Prania e muzikës ose videove që talibanët mendojnë se shkelin kodin e tyre të rreptë moral, shpesh ka çuar në keqtrajtime dhe dhunë, tha një banor.

Në shumë raste, luftëtarët talibanë kanë konfiskuar, thyer ose fshirë të dhënat nga telefonat e mençur të qytetarëve.

Këto veprime të talibanëve kanë provokuar zemërim në Afganistan – një vend thellësisht fetar dhe konservator, me rreth 38 milionë banorë.

Shumë afganë e konsiderojnë veprim fyes nëse persona të panjohur shikojnë të dhënat e tyre private.

“Minimi i dinjitetit të njerëzve”
Yasmin, një grua e re, tha se nuk e mban më celularin e saj në publik. Ajo tregoi se si luftëtarët talibanë rrahën kushëririn e saj, kur zbuluan muzikë në telefonin e tij.

“Ata e rrahën atë para miqve të tij dhe kalimtarëve”, tha Yasmin, e cila nuk e zbuloi emrin e saj të vërtetë për shkak të shqetësimeve për sigurinë e saj.

“Atyre nuk u intereson se si ky lloj trajtimi minon dinjitetin e njerëzve. Ata thjesht duan të imponojnë botëkuptimin e tyre ekstremist”, tha ajo.

Si një grup militant islamik, talibanët i përmbahen një interpretimi fundamentalist të Ligjit Islamik të Sheriatit.

Gjatë regjimit brutal nga viti 1996 deri më 2001, talibanët ndaluan muzikën, mediat e pavarura dhe shumë sporte.

Ata gjithashtu ndaluan gratë të punonin dhe vajzat të ndiqnin shkollën, ndërsa burrat detyroheshin të kryenin rregullisht rite islame dhe të rrisnin mjekrat.

Që nga rifitimi i pushtetit në muajin gusht të këtij viti, talibanët imponuan sërish shumë ligje represive dhe politika të prapambetura, të cilat shoqëruan sundimin e tyre të mëparshëm.

Subhan Misbah, ekspert ligjor me bazë në Kabul, tha se praktika e talibanëve për të kontrolluar telefonat shkel të njëjtat ligje islamike që grupi pretendon se i mbron.

“Ligji Islamik i Sheriatit ndalon çdo ndërhyrje në privatësinë personale të kujtdo pa leje”, tha ai.

“Hetimi i dikujt lejohet vetëm nëse dikush dyshohet ose akuzohet për kryerjen e një krimi. Njerëzit që merren me këto aktivitete duhet të hetohen”, shtoi Misbah.

“Ndëshkimi i dhunuesve”
Talibanët mohuan se luftëtarët e tyre ua kontrollojnë telefonat banorëve.

“Askush nuk është autorizuar t’i kontrollojë telefonin celular dikujt”, tha zëdhënësi i talibanëve, Ahmadullah Wasiq, për Radion Azadi.

“Nuk kemi dëgjuar për incidente të tilla”, shtoi ai.

Por, myftiu Lutfullah Hakimi, që kryeson një komision taliban, i krijuar me qëllim të eliminimit të individëve “të padëshiruar” brenda radhëve të grupit, e hodhi poshtë këtë mohim.

“Pse po cenoni privatësinë e njerëzve duke kontrolluar xhepat e tyre dhe duke përgjuar telefonat e tyre?”, pyeti Hakimi gjatë një fjalimi në qytetin jugor të Kandaharit, më 23 nëntor.

Afganët thonë se praktika e talibanëve nuk është asgjë e re.

Gjatë kryengritjes 20-vjeçare, luftëtarët talibanë i ndalonin rregullisht njerëzit në postblloqe të improvizuara në autostrada dhe kontrollonin telefonat e tyre të mençur.

Shumë afganë raportuan raste të frikësimit pasi talibanët konfiskuan telefonat e tyre të mençur dhe, në disa raste, kopjuan të dhënat që kishin në telefon.

Zëdhënësi i talibanëve, Zabihullah Mujahid, në një audio-mesazh dërguar Radio Azadit në tetor të vitit 2020, pranoi se militantët kontrolluan telefonat e njerëzve që ata i konsideronin si të dyshimtë.

“Ne nuk kontrollojmë telefonin e askujt për të parë fotografitë apo të dhënat e tyre”, tha Mujahid.

“Ne shikojmë vetëm telefonat e individëve të dyshuar për të plotësuar informacionin tonë”.

“Ne shikojmë kontaktet e tyre dhe informacione të tjera për të vendosur nëse duhet t’i ndalojmë dhe t’i marrim [për pyetje të mëtejshme]”, shtoi ai.

Kur talibanët rifituan pushtetin, disa afganë të frikësuar nga mundësia e ndëshkimit nga talibanët, fshinë mesazhet, muzikën dhe fotografitë në telefonat e tyre të mençur./REL