Talebanët i drejtohen popullit afgan: Fati i grave, nuk duam armiq, i kemi falur të gjithë

schedule17:23 - 17 Gusht, 2021

schedule 17:23 - 17 Gusht, 2021

Që pas marrjes së pushtetit talebanët i janë drejtuar popullit afgan për herë të parë me një mesazh ditën e sotme nga Kabuli.  Zëdhënësi Zabihullah Mujahid u shpreh para mediave se “Ky është një moment krenarie për të gjithë kombin“.

Ai tha se nuk duan asnjë armik. “Ne duam të sigurohemi që Afganistani nuk është më një fushë betejë konflikti. Ne i kemi falur të gjithë ata që kanë luftuar kundër nesh. Armiqësive u ka ardhur fundi. Ne nuk duam armiq të jashtëm apo të brendshëm” shton zëdhënësi Zabihullah Mujahid.

Por cfarë do të ndodhë me të drejtat e grave? “Unë do të doja të siguroja bashkësinë ndërkombëtare se askush nuk do të dëmtohet. Ne nuk duam të kemi ndonjë problem me bashkësinë ndërkombëtare.

Ne kemi të drejtë të veprojmë sipas parimeve tona fetare. Vendet e tjera kanë qasje, rregulla dhe rregullore të ndryshme … Afganët kanë të drejtë të kenë rregullat dhe rregulloret e tyre në përputhje me vlerat tona.

Ne jemi të përkushtuar ndaj të drejtave të grave nën sistemin e Sheriatit [ligjit Islam]. Ata do të punojnë krah për krah me ne. Ne do të donim të siguronim bashkësinë ndërkombëtare se nuk do të ketë diskriminim” tha ai.

Në fjalën e tyre të parë, talebanët kishin një mesazh edhe për median.

Ne jemi të përkushtuar ndaj mediave brenda kornizës sonë kulturore. Asgjë nuk duhet të jetë kundër vlerave islame kur bëhet fjalë për aktivitetet e mediave.

Ju në media duhet t’i kushtoni vëmendje mangësive në mënyrë që t’i shërbejmë kombit. Por media nuk duhet të punojë kundër nesh. Ata duhet të punojnë për unitetin e kombit”  tha Zabihullah Mujahid.

Kur u pyet për përkthyesit që kanë punuar me fuqitë e huaja dhe tani po vërshojnë për t’u larguar nga frika, Zabihullah Mujahid tha “Askush nuk do të trajtohet me hakmarrje. Të rinjtë që janë rritur këtu, ne nuk duam të largohen. Ata janë pasuria jonë.

Askush nuk do të trokasë në derën e tyre dhe nuk do t’i pyesë se për kë kanë punuar. Ata do të jenë të sigurt. Askush nuk do të merret në pyetje apo ndiqet. I kemi falur të gjithë” tha përfaqësuesi i talebanëve./ Abcnews.al