Taksa e Prishtinës, Vuçiç me opsione të kufizuara

schedule19:19 - 29 Nëntor, 2018

schedule 19:19 - 29 Nëntor, 2018

Në reagimin e radhës në lidhje me taksën e Prishtinës zyrtare, presidenti Aleksandër Vuçiç ka deklaruar se Serbia i ka opsionet e kufizuara, pasi e ka humbur kontrollin e territorit në Kosovë. Ndërkohë, kryetari i Listës Serbe ka akuzuar Bashkimin Europian se po hesht lidhur me situatën.

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç ka kërkuar nga serbët e Kosovës protesta të qeta, pavarësisht vendimeve të Prishtinës. Fillimisht, ai foli gjatë një aktiviteti të zakonshëm, ku pranoi se mundësitë e Serbisë janë të vogla.

Aleksandër Vuçiç, president i Serbisë: “Natyrisht nuk jemi në një pozitë të mirë, pasi nuk kontrollojmë më organet tona shtetërore dhe asnjë pëllëmbë të territorit të saj. Kemi vetëm popullin tonë që është i vendosur të luftojë për të drejtat e tij dhe Serbinë që do t’i ndihmojë”.

Serbët e Kosovës arritën pasdite në presidencë për të diskutuar për veprimet e tyre. Presidenti është kujdesur që Serbia dhe serbët të mos bëjnë veprime të nxituara dhe incidente. Pas takimit, ata dolën për të thënë planet e tyre në të ardhmen, pasi ofruan dorëheqjen.

Goran Rakiç, kryetar i Listës Serbe: Këto vendime nuk janë kundër Serbisë, por kundër serbëve të Kosovës dhe qëndrimit të tyre atje. Nuk është hera e parë që duan ta marrin veriun dhe gjendja në terren është alarmante. Bashkimi Evropian hesht. Presidenti na kërkoi të bëjmë protesta të qeta”.

Serbia, pavarësisht reagimeve ndërkombëtare, do të mundohet të lobojë kundër vendimit të Kosovës, pasi siç thanë krerët e shtetit serb, vendimi vazhdon të jetë kërcënim për paqen./abcnews.al