Takimi Trump-Xi Jinpng në Pekin, në ‘lojë’ tregtia, Irani dhe Tajvani/ Samiti që mund të ndryshojë ekuilibrat globalë?
Presidenti amerikan Donald Trump mbërrin në Pekin për një takim të shumëpritur me presidentin kinez Xi Jinping, në një moment tensionesh të larta globale ku në tryezë do të jenë lufta tregtare, kriza me Iranin dhe çështja e Tajvanit.
Fillimisht, vizita ishte planifikuar të fokusohej kryesisht në marrëdhëniet ekonomike mes dy superfuqive, por zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme kanë ndryshuar ndjeshëm axhendën.
Sipas mediave ndërkombëtare, SHBA kërkon tani mbështetjen e Kinës për të ushtruar presion ndaj Iranit, me synim rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, rrugë jetike për furnizimin global me naftë.
Pekini është i shqetësuar se një konflikt më i gjerë me Iranin mund të shkaktojë recesion global, duke goditur rëndë ekonominë kineze, e cila mbështetet fuqishëm tek eksportet.
Sipas raportimeve, Kina ka luajtur rol në nxitjen e Iranit për t’u rikthyer në negociata me SHBA-në.
Javën e kaluar, ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi zhvilloi takim në Pekin me homologun kinez Wang Yi, ku Kina bëri thirrje për “ndërprerje të plotë të armiqësive” në Lindjen e Mesme.
Në të njëjtën kohë, marrëdhëniet tregtare SHBA-Kinë mbeten të tensionuara.
Trump kishte vendosur tarifa që arritën deri në 145% ndaj mallrave kineze, përpara se të dyja palët të arrinin një “armëpushim” të përkohshëm tregtar.
Gjatë samitit, Trump pritet të kërkojë rritjen e importeve kineze të produkteve bujqësore amerikane, ndërsa Pekini do të kërkojë ndalimin e hetimeve tregtare që mund të çojnë në tarifa të reja ndaj Kinës, shkruajnë mediat e huaja.
Një tjetër pikë delikate mbetet Tajvani. Edhe pse SHBA ka miratuar marrëveshje miliardëshe armësh për Tajvanin, Trump ka dhënë sinjale të paqarta për gatishmërinë amerikane për ta mbrojtur ishullin në rast konflikti me Kinën.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se qëllimi i Uashingtonit është shmangia e çdo përshkallëzimi në Indo-Paqësor.
Nga ana tjetër, Pekini vazhdon të shtojë presionin ushtarak ndaj Tajvanit, duke dërguar pothuajse çdo ditë avionë dhe anije luftarake pranë ishullit.
Sipas axhendës zyrtare, Trump do të pritet në mëngjes me ceremoni shtetërore dhe takim dypalësh me Xi Jinping.
Më pas ai do të vizitojë Tempullin e Qiellit në Pekin, ndërsa në mbrëmje do të organizohet një darkë zyrtare mes dy delegacioneve.
/abcnews.al/


