Sondazh

Protesta e Berishës, si u soll policia?

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Takimi me Mitsotakis/ Rama: Bëmë bilancin për ecurinë e çështjeve të mbartura mes Shqipërisë dhe Greqisë

schedule09:50 - 26 Prill, 2026

schedule 09:50 - 26 Prill, 2026

TIRANË- Kryeministri i vendit, Edi Rama, në podkastin e përjavshëm “Flasim” u ndal te vizita në Abu Dabi dhe në Athinë, duke e cilësuar si të rëndësishme për forcimin e marrëdhënieve ndërkombëtare të vendit.

Në Abu Dabi, Rama u takua me Presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohammed bin Zayed Al Nahyan, ku siç tha kryeministri u diskutuan mbi marrëdhëniet dypalëshe dhe situatën në rajon. Ai e cilësoi vizitën si akt solidariteti dhe theksoi miqësinë e fortë mes dy vendeve, e cila është konsoliduar ndër vite, përfshirë edhe ndihmën e Emirateve pas tërmetit në Shqipëri.

Në Athinë, Rama mori pjesë në një forum ekonomik  të Delphit, ndërsa zhvilloi një takim me Kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis. Ai tha se u diskutua për ecurinë e çështjeve të mbartura mes dy vendeve dhe për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, përmes një partneriteti të ri strategjik që pritet të finalizohet brenda vitit.



Më tej, Rama u shpreh optimist për avancimin e bashkëpunimit Shqipëri–Greqi dhe theksoi rëndësinë e trajtimit të çështjeve që prekin minoritetin grek në Shqipëri dhe shqiptarët në Greqi, si dhe mbështetjen e mëtejshme të Greqisë në procesin e integrimit europian të Shqipërisë.

“Këtë javë pata një vizitë të shkurtër në Abu Dabi dhe më pas edhe në Greqi. Dy ndalesa që lidhen me dy aspekte të marrëdhënies dhe të pozicionit ndërkombëtar të Shqipërisë. Në Abu Dabi shkova për të takuar një mik shumë të çmuar dhe të sprovuar të Shqipërisë dhe të shqiptarëve, por edhe një lider nga më të respektuarit sot botërisht që kam nderin ta konsideroj edhe mikun tim, presidentin Sheikh Mohammed Bin Zayed, në një moment shumë të ndjeshëm për vendin e tij dhe për atë rajon të përfshirë në një konflikt si rezultat i sulmit ndaj regjimit kriminal të Teheranit. Ishte një vizitë solidariteti, një vizitë për të konfirmuar vëllazërinë që na lidh me atë vend dhe me ato vende dhe nga ana tjetër edhe besimin se Emiratet do ta kalojnë këtë fazë dhe do të dalin më të forta nga kjo sfidë e madhe.

Nuk ekzagjeroj asgjë kur them se presidenti i Emirateve të Bashkuara është një mik i vyer dhe i sprovuar i Shqipërisë dhe i shqiptarëve, pasi qysh në rininë e tij ai ka ardhur në Shqipëri jo për turizëm dhe as për një takim formal, por për të udhëhequr grupin e dërguar nga i ati, i ndjeri Sheikh Zayed në ndihmë të atyre shqiptarëve që braktisën shtëpitë e tyre në Kosovë dhe u dyndën në Shqipëri e qëndruan në një masë të madhe në Kukës, për të ikur nga makineria vrastare e Slobodan Milosheviçit. Dhe qysh atëherë më pas me atë vend, me atë popull dhe me atë njeri të madh është ndërtuar një marrëdhënie që në 10 vitet e fundit ka marrë një përmasë krejt tjetër.

Ishte pikërisht Presidenti i Emirateve të Bashkuara, Sheiku Mohammed bin Zayed, i cili urdhëroi disbursimin e fondit më të madh të solidaritetit me Shqipërinë pas tërmetit dhe me atë fond është ndërtuar një lagje e tërë model në Durrës.

Nga ana tjetër, me Emiratet e Bashkuara na lidhin edhe punë dhe projekte të karakterit strategjik, por edhe të një natyre që kanë të bëjnë me rritjen dhe forcimin e Shqipërisë në rrugën e modernizimit të saj.

Më vjen shumë mirë të konfirmoj se nga ana e Presidentit dhe nga ana e udhëheqjes së Emirateve të Bashkuara edhe një herë tjetër mora një energji jashtëzakonisht pozitive për Shqipërinë dhe konfirmimin se miqësia jonë bëhet më e fortë dhe se aleanca jonë do të fuqizohet hap pas hapi me më shumë bashkëpunim, më shumë projekte dhe me më shumë afrimitet mes shteteve dhe popujve tanë.

Ndalimi në Athinë ishte i një natyre tjetër, por përsëri i lidhur me sa thashë në krye të herës, me pozicionin e Shqipërisë dhe me dëshirën për ta parë Shqipërinë të përfaqësuar në nivelin më të lartë dhe për të dëgjuar qëndrimet dhe opinionet tona, posaçërisht në këtë rast, në një forum ekonomik me një reputacion dhe prestigj ndërkombëtar, ku për shkak të fqinjësisë dhe të historisë Shqipëria kishte një vend të posaçëm në atë platformë, ku diskutohen drejtimet kryesore të zhvillimit global, por edhe të atij rajonal dhe në këtë rast edhe të marrëdhënies me vendin fqinj.
Shkova për të marrë pjesë në forum, por pata kënaqësinë që të pritesha nga kryeministri i Greqisë dhe një mik i vyer, Kyriakos Mitsotakis, me të cilin bëmë një bilanc të ecurisë së punës së grupit të përbashkët që kemi ngritur për t’i dhënë një herë e mirë përgjigje të gjitha çështjeve të mbartura dhe për ta çuar në një nivel të ri marrëdhënien ndërshtetërore mes Shqipërisë dhe Greqisë.
Më vjen shumë mirë të them se nga ana e kryeministrit ka një vullnet absolut për të bërë pikërisht adresimin me prioritet të të gjitha çështjeve të bartura për të konfirmuar brenda këtij viti, përmes një dokumenti të ri të partneritetit strategjik, natyrën shumë speciale të marrëdhënies mes dy vendeve dhe nga ana tjetër për ta mbështetur Shqipërinë si gjithmonë, me përjashtim të ndonjë momenti të vështirë, në rrugën e anëtarësimit të saj në Bashkimin Europian.
Dhe, thënë të gjitha këto, jam shumë optimist dhe njëkohësisht jam shumë besimplotë se falë edhe angazhimit personal të kryeministrit, Mitsotakis ne do të dimë të adresojmë çështjet e mbartura dhe do të forcojmë edhe më shumë marrëdhënien tonë përmes një kujdesi të posaçëm, qoftë për minoritetin grek në Shqipëri, qoftë për shqiptarët në Greqi.”, tha ai.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!