Takimi Kosovë-Serbi në Berlin dhe plani gjerman për Kosovën

schedule23:50 - 16 Prill, 2019

schedule 23:50 - 16 Prill, 2019

Mediat në Kosovë kanë dhënë detaje të planit që do i paraqitet palës kosovare e asaj serbe në takimin e Berlinit më 29 prill. Sipas tyre do propozohet një sovranitet I dyfishtë për Kosovën, pa përfshirë ndarjen e saj.

Dy javë para takimit të njoftuar në Berlin mes udhëheqësve të Kosovës e Serbisë për të riaktivizuar dialogun mes tyre, mësohen detaje të planit të dy shteteve që inicuan këtë takim, Gjermanisë dhe Francës. Gazeta kosovare Ekspres shkruan se Franca dhe Gjermania do të dalin me një plan për marrëveshje mes të Kosovës dhe të Serbisë, që do t’i kënaqe deri në njëfarë mase kërkesat e Beogradit, pa përfshirë ndarjen e kosovës.

Duke iu referuar burimeve të saj, gazeta Ekspres se shkruan në takimin që pritet të mbahet në Berlin, më 29 prill, e ku do të marrin pjesë kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe Presidenti Francez, Emmanuel Macron, liderëve të Kosovës dhe të Serbisë do t’u prezantohet një plan për marrëveshjen finale.

“Po flitet për sovranitet të dyfishtë. Kosova do ta ruajë integritetin territorial, por Serbia do të gëzojë njëfarë sovraniteti mbi serbët në Kosovë dhe mbi kishat serbe”, ka thënë burimi i gazetës ekspress, duke shtuar se që të mos tingëllojë aggressive, ka mundësi që Kosova një pjesë të sovranitetit të saj t’ia delegojë Brukselit, e pastaj ky i fundit Serbisë.

Cka ngre pikëpyetje për realizimin e këtij plani është pjesëmarrja e kryeministrit Haradinaj, qëndrimet e të cilit janë të njohura për mosprekjen e territorit unitar të Kosovës.

Takimi i Berlinit u njoftua një javë më herët nga presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç. Takimi i 29 prillit do jetë i pari i nivelit të lartë mes dy vendeve që pas pezullimit tyë bisedimeve vjeshtën e vitit të kaluar kur qeveria e Kosovës vendosi tarifa prej 100 për qind ndaj mallrave serbe, si kundërpërgjigje për aktet e Serbisë në dëm të procesit të njohjeve e integrimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Pavarësisht presionit europian e amerikan, kryeministri Ramush Haradinaj ka refuzuar heqjen e kësaj takse deri kur Serbia të njohë Kosovën. /abcnews.al