Surprizon sërish, ikona greke këndon “Moj e bukura more”

schedule18:59 - 17 Shtator, 2021

schedule 18:59 - 17 Shtator, 2021

Këngëtarja legjendare greke Glykeria ishte të mërkurën e datës 15 Shtator në një koncert madhështor në amfiteatrin e liqenit. Për herë të parë artistja e mirënjohur këndoi përpara publikut shqiptar, duke ndarë emocione dhe muzikë të mirë. Ekskluzivisht për “Abc e Pasdites”, Glykeria ndau emocionet përpara koncertit dhe çfarë do të thotë për të të performojë në vendin tonë.

“Sigurisht jam shumë entuziaste që jam këtu, këndoj në një teatër të hapur me kaq shumë publik. Nëse kam fansa këtu, kjo më gëzon jashtë mase. Ajo që dua t’ju uroj atyre dhe vetes është që të këndojmë këngët të gjithë bashkë, të kalojmë një natë magjike dhe ta shijojmë sa më shumë”, u shpreh Glykeria.

Glykeria është ndër të parat këngëtare greke që ka kënduar një këngë në gjuhën shqipe. Bëhet fjalë për “25 gërsheta”, një version I njohur dhe I pëlqyer gjerësisht nga publiku ynë por edhe ai grek. Në këtë koncert, këngëtarja kishte rezervuar një surprizë për fansat e saj në Shqipëri. Për herë të parë këndoi veprën arbëreshe “Moj e bukura more”.

E pyetur se si i ka pritur publiku performancat e saj shqip, ajo tha:

“Vërtet është shumë e vështirë për shkak të gjuhës, por reagimi që kam marrë ishte i jashtëzakonshëm dhe mund të them se ja ka vlejtur mundi. Kjo është arsyeja pse unë gjendem sot këtu, live, për ta sjellë dhe më gjerë për publikun shqiptar dhe tu kthej mbrapsht vlerësimin që mora prej tyre”.

Nuk mungoi edhe një përshendetje në gjuhën shqipe nga artistja e madhe, të cilën mund ta gjenin në videon e publikut në kanalin zyrtar të YouTube, Abc News Albania./abcnews.al