Protesta e studentëve ka vazhduar edhe në Korçë, Shkodër, Vlorë, Gjirokastër dhe Elbasan. Një pjesë e tyre iu bashkuan protestuesve në Tiranë.
Korçë- Studentëve të shumtë të Korçës iu bashkuan edhe nxënësit e dy gjimnazeve “Raqi Qirinxhi” dhe “Themistokli Germenji”. Protesta vazhdoi për afro katër orë dhe në fund u la për tubim përsëri të mërkurën.
Shkodër – Tri nga kërkesat e studentëve të Shkodrës u pranuan nga Universiteti i Shkodrës. Ulja e notës mesatare nga 9 në 7 për studimet në master dhe doktoraturë, liria e zgjedhjes mes provimit dhe temës së diplomës, rimbursimi për ekspeditat, vënia në funksion e godinës se re të universitetit të Shkodrës brenda janarit të vitit të ardhshëm. Por pavarësisht kësaj studentët thanë se do të sensibilizohen me studentët në Tiranë. Protestës së tyre iu bashkuan edhe qytetarë.
“Sot po shohim forcën e një përballjeje të padrejtësinave poshtëruese. Po tregojmë se rinia është katalizator dhe lidership i vetëm për çdo shtet. Le të vazhdojmë kështu. Protesta është vetëm e jona”.
Gjirokastër- Më të shumtë në numër dhe më të vendosur kanë qenë studentët e Gjirokastrës në protestën e tyre. Mesazhet nga FRESH për ta ndaluar protestën, denoncuan studentët.
“Na kanë shkruajtur kush është më e mira që të bëhen lodra të të tjerëve? Dhe i kemi kthyer përgjigje: është çështje studentore jo politike”.
Vlorë – Studentët e Vlorës për afro tri orë protestuan dhe pushtuan sheshin e Flamurit. Që në fillim u kanë bërë thirrje studentëve të tjerë të lënë auditoret dhe t’i bashkohen protestës.
Elbasan –Gjimnazistët në Elbasan ishin të parët që iu bashkuan studentëve. Bashkarisht marshuan nëpër qytet. Një pjesë e protestueve iu bashkuan protestës së Tiranës. Kurse një pjesë që nuk pati mundësi transporti, vazhdoi protestën para korpusit Universitar. /abcnews.al