Një mbrëmje e veçantë operistike do të ngrejë siparin e sezonit të ri artistik në Teatrin Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor. Më 10 shtator, skena e TKOBAP do të kthehet në një pikëtakim të zërave më të fuqishëm të muzikës lirike.
Në qendër të kësaj galaje do të jetë një nga tenorët më të njohur të skenës ndërkombëtare, Stefan Pop. Fitues i konkursit prestigjioz ndërkombëtar “Operalia”, Pop ka ndërtuar një karrierë të rëndësishme në skenat më të mëdha të operës botërore.
Nga Royal Opera House Covent Garden, te Opéra National de Paris, Vienna State Opera dhe Teatro Real në Madrid, ai ka interpretuar role të rëndësishme të repertorit operistik. Tashmë, zëri i tij vjen në Tiranë për një mbrëmje ku madhështia e operës do të bashkohet me emocionin e një sezoni të ri artistik.
Në skenë do të jenë edhe solistët, kori dhe Orkestra Simfonike e TKOBAP-së. Në krye të tyre do të jetë dirigjenti italian Simone Di Felice, kapellmeister në Oper Frankfurt dhe një emër i njohur i skenave europiane.
Karriera e tij e ka çuar nga Parisi në Pragë, Basel dhe Tirol, ndërsa repertori i tij përfshin vepra nga Mozart e Händel, deri te Verdi, Puçini dhe Rossini. Për publikun shqiptar, kjo gala premton të jetë një udhëtim përmes disa prej kryeveprave më të njohura të repertorit operistik.
Por mbi të gjitha, është një mbrëmje që bashkon në të njëjtën skenë artistë shqiptarë dhe emra të njohur të skenës ndërkombëtare. Sopranoja Eva Golemi dhe baritoni Armando Likaj do të jenë pjesë e kësaj mbrëmjeje festive.
Elegancë, pasion, zëra të fuqishëm dhe muzikë e madhe – të gjitha në një skenë që synon ta nisë sezonin e ri me një ngjarje të denjë për dashamirësit e operës. 10 shtator, ora 20:00 – TKOBAP hap sezonin e ri artistik me një Gala Operistike që sjell në Tiranë një nga zërat më të vlerësuar të operës botërore./abcnews.al

