Kryeministri britanik Keir Starmer ka përshëndetur marrëveshjen e arritur mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, duke e cilësuar atë si një hap të rëndësishëm drejt uljes së tensioneve dhe forcimit të stabilitetit në rajon.
Duke folur nga Downing Street para shpalljes së një politike të re për aksesin e të miturve në rrjetet sociale, Starmer tha se dëshironte fillimisht të komentonte zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme.
“Dua të mirëpres përparimin e arritur mbrëmë mes SHBA-së dhe Iranit. Përgëzoj Presidentin Donald Trump, ndërmjetësuesit nga Pakistani dhe Katari, si dhe të gjithë ata që kontribuan në këtë proces”, deklaroi ai.
Sipas kryeministrit britanik, marrëveshja përbën një “moment jashtëzakonisht të rëndësishëm”, ndërsa theksoi se Londra ka bërë vazhdimisht thirrje për de-përshkallëzim të situatës.
“Është jetike që të gjitha palët ta shfrytëzojnë këtë mundësi për të garantuar stabilitetin në rajon dhe për të rikthyer lirinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit”, tha Starmer.
Ai shtoi se zhvillimet pozitive pritet të kenë ndikim edhe në ekonomi, duke lehtësuar presionet mbi qytetarët britanikë dhe ekonominë globale.
Starmer nënvizoi se Mbretëria e Bashkuar do të bashkëpunojë ngushtë me partnerët ndërkombëtarë për të mbështetur zbatimin e marrëveshjes dhe për ta shndërruar atë në një paqe të qëndrueshme afatgjatë.



