Stano: BE-ja po monitoron nga afër situatën në veri të Kosovës

schedule16:21 - 21 Shtator, 2023

schedule 16:21 - 21 Shtator, 2023

“Bashkimi Evropian po monitoron nga afër situatën në veri të Kosovës në lidhje me arrestimet e fundit të serbëve dhe është në kontakt të ngushtë me bashkëpunëtorët dhe autoritetet përkatëse, në mënyrë që të kuptojë plotësisht zhvillimin e ngjarjeve”.

Kështu u shpreh zëdhënësi i Komisionit Evropian, Peter Stano dhe shton se do të reagojë publikisht nëse është e nevojshme, shkruan Euronews Serbia.

“Jemi duke vëzhguar me shumë vëmendje, jemi në kontakt me bashkëpunëtorët përkatës, me autoritetet për të kuptuar qartë këto ngjarje të fundit. Nëse ka nevojë, nëse ka vërtet nevojë, do të reagojmë publikisht”, theksoi Stano.

Ai shtoi se rruga drejt normalizimit të marrëdhënieve është e qartë dhe se të 27 vendet anëtare e kanë mbështetur dialogun.

“Kur bëhet fjalë për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, qëndrimi i Bashkimit Evropian është shumë i qartë. Rekomandimi, pikëpamja dhe pritshmëria e njëzet e shtatë evropianëve është që puna për themelimin e Asociacionit duhet të fillojë pa vonesë të mëtejshme dhe pa parakushte, sepse kjo pyetje nuk është hera e parë që shtrohet në tryezë”, deklaoi zëdhënësi Stano./abcnews.al