Spanja vishet “blaugrana”/ Barcelona fiton titullin kampion në La Liga

schedule17:39 - 16 Maj, 2025

schedule 17:39 - 16 Maj, 2025

U rikthye shumë shpejt. Barcelona, e fundosur nga borxhet dhe nga kriza e vitit të kaluar, këtë sezon dominoi plotësisht sezonin në Spanjë dhe ja ku fitoi titullin kampion.

La Liga ishte thuajse në xhep që më parë, por u sigurua, madje në një stadium aspak miqësor.

Ekipi “blaugrana” ia doli në fushën e Espanjolit, në derbi ku luajti dhe mbrojtësi kuqezi Marash Kumbulla, dhe tensioni nuk mungoi.

Siç e pohuan mediat në Katalonjë e Madrid, ky ishte titulli I Lamin Jamalit.

Ylli 17-vjeçar shënoi një tjetër gol nga ata të vetët, si dhe shërbeu asistin në fund fare për Fermin Lopezin.

Me 8 gola e 15 asistë në 33 ndeshje, vështirë të ketë të ngjashëm në historinë e kampionatit spanjoll në këtë moshë.

“Barça kampion”, – titullon “El Mundo Deportivo”, me foton e madhe të ekipit në dhomën e zhveshjes: Liga e 28-të me vulën e Laminit!”

Thuajse I njëjtë dedikimi nga e përditshmja “Sport”: Kampionë! E para e Flikut! Barça fiton ligën me golin e madh të Laminit! Nuk pati festim në fushë nga tensioni!”

Nga Madridi, gazeta “AS” e cilëson këtë si titullin e Lamin Jamalit: Ylli I ri siguroi titullin me gol dhe asist, hyn në garë për Topin e Artë!”

Trajneri Hansi Flik ishte ambicioz edhe pas triumfit.

“Ky nuk është fundi. Ne duam më shumë. Ne duam ta mbyllim si kampionë. Të dielën ndaj Vijarrealit dhe po ashtu ndaj Bilbaos. Ndaj Espanjolit nuk ishte e lehtë, pasi ata mbrohen shumë mirë, dhe janë të rrezikshëm në kundërsulm, por edhe ne u mbrojtëm mirë. Këtë vit ne patëm rezultate shumë të mira edhe sepse na u kthyen lojtarët nga dëmtimi dhe futbollistët morën më shumë besim, fitore pas fitoreje. Ne kemi sukses sepse jemi si një familje. Barcelona është një shembull për ekipet e tjera”.

Flik u tregua një magjistar i vërtetë, ashtu si tek Bajerni, pasi në sezonin e parë në stol fitoi tre trofe, Superkupën e Spanjës, Kupën e Mbretit dhe titullin kampion.

Dështimi I vetëm, në gjysmëfinalen e Championsit pas dy betejave epike ndaj Interit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!