“Botërori 2026” ende nuk ka nisur topin e parë, por që tani është ndezur gara e parashikimeve. Në këtë garë të ethshme nuk janë përfshirë vetëm kompanitë e basteve, por edhe një nga bankat më të mëdha amerikane të investimeve siç është “Goldman Sachs”.
Me anë të një modeli matematikor të krijuar nga superkumpjuteri i saj, kjo bankë ka bërë prognozën e saj për Kupën e Botës që do të nisë më 11 qershor në Shtete e Bashkuara të Amerikës, Meksikë dhe Kanada.
Sipas këtij parashikimi, Spanja është favorite kryesore për të fituar trofeun.
Duke qëndruar në këtë model matematikor, kampionët në fuqi të Europës kanë 26% mundësi për të ngritur Kupën e Botës.
Duke vijuar në këto vlerësime, të njëjta me ato të sistemit “ELO”, pas Spanjës, favorite tjetër e madhe është Franca me 19% shanse për të fituar Botërorin.
Por sipas modelit që ka krijuar edhe rrugën sipas kalendarit të FIFA, Spanja dhe Franca janë në një “shteg” drejt finales.
Kjo penalizon “Gjelat” në llogaritë e përgjithshme.
në këtë mënyrë, duke qëndruar në të njëjtin model, në “shtegun” tjetër, favorite për finalen dhe trofeun është Argjentina me 14% mundësi për të mbrojtur trofeun e fituar katër vite më parë në Katar.
Sipas llogarive dhe modelit të formatit të “Botërorit 2026”, Spanja do të luajë në finale kundër Argjentinës dhe do të dalë fituese.
Për momentin bëhet fjalë vetëm për modele matematikore, por futbolli nuk është shkencë ekzakte. Gjithsesi, kjo prognozë nuk është larg edhe parashikimeve të kompanive ndërkombëtare të basteve.


