Sot në Maqedoni votohet në referendumin e thirrur për çështjen e emrit të këtij vendi. Sipas vendimit të miratuar nga Kuvendi i Maqedonisë, pyetja që do të kenë qytetarët në fletën e votimit në këtë referendum është: “A jeni për anëtarësim në BE dhe në NATO, duke pranuar marrëveshjen e Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Greqisë?”.
Bëhet fjalë për marrëveshjen e njohur me emrin Marreveshja e Prespës, që u nënshkrua nga kryeministrat e dy vendeve në 17 qershor të këtij viti. Miratimi i saj përmes referendumit popullor do t’i hapte rrugë përshpejtimit të procesit integrues të Maqedonisë në BE dhe NATO. Komisioni Shtetëror Zgjedhor ka njoftuar me anë të një konference për shtyp se deri në orën 09:00 vetëm 2.45% e qytetarëve kanë votuar. Deri tani në këtë institucion kanë mbërritur 3 ankesa, që janë rrëzuar pasi konsiderohen të pabaza. Të drejtë vote sot në Maqedoni kanë mbi 1 milionë e 800 mijë votues, të regjistruar në Listën Zgjedhore. Vendvotimet do të qëndrojnë të hapura nga ora 7:00 deri në orën 19:00.
Më përpara kanë votuar dhe qytetarët e Maqedonisë që ndodhen jashtë vendit si dhe të burgosurit dhe qytetarët me aftësi të kufizuara. Autoritetet bëjnë me dije se Ministria e Brendshme do të lëshojë dhe sot karta idenditeti për qytetarët në mënyrë që të marrin pjesë në zgjedhje. Procesi i votimit do të monitorohet nga rreth 12 mijë vëzhgues vendas dhe 493 të huaj./abcnews.al