Sot 56 vite nga lindja e legjendës Van Basten, Di Marzio zbulon prapaskenën e madhe

schedule10:13 - 31 Tetor, 2020

schedule 10:13 - 31 Tetor, 2020

17 gushti i vitit 1995 ka bërë shumë njerëz të lotojnë. Një nga lojtarët më të mirë të parë në fushën e blertë në vitet ’80-90′, Marko Van Basten, kishte vendosur të braktiste futbollin e luajtur. Magjitë e tij mbaronin aty dhe shkak ishin dëmtimet e mallkuara.

Një idhull te Milani dhe Ajaxi, sikurse edhe te Holanda e tij. Shumëkush mund të thotë se ai është lojtari më i mirë që mund të ketë parë ndonjëherë. E lavdëron edhe një legjendë, Diego Armando Maradona. “Më vjen të qaj. Ai është lojtari më elegant që kam parë ndonjëherë në jetën time. Nëse Zoti ka vendosur kështu, do të thotë që ai nuk dëshiron të shohë më gola të bukur”.

 

Tre “Topa të Artë”, Champions League të fituara, Europian me Holandën në vitin 1988, ndërkohë për golat e bukur do të duhej një natë e gjatë dimri, sikurse edhe për karrierën e tij. Lindi më 31 tetor, si sot para 56 vitesh dhe e shijuan shumë tifozët e Milanit dhe Ajaxit.

Shumë u dashuruan pas tij. Luftoi shumë që të mos e linte futbollin, në moshën 28-vjeçare. Katër operimet e bëra e detyruan Mjellmën e Utrehtit të merrte një nga vendimet më të dhimbshme. Sot, në ditëlindjen e tij, Gianluca Di Marzio sjell një prapaskenë në merkato të botuar në librin e tij “Grand Hotel Calciomercato”.

Historia e Van Basten mund të kishte qenë tjetër, pasi në vitin 1986 mund të kishte veshur fanellën e një tjetër klubit italian. Fiorentina kishte nënshkruar me ish-sulmuesin holandez. Provat i ka Claudio Nassi, ish-Drejtori i Përgjithshëm i klubit Vjollcë në mes të viteve ’80. Në dhomën e tij të pritjes, e varur në një kornizë, shfaqet kontrata ku Van Basten kishte firmosur.

 

Në librin e Di Marzio zbulohet edhe më tepër. Nassi ishte dashuruar me Van Basten pas vetëm një videokasete të tij. Aq kishte mjaftuar dhe ai kishte fluturuar drejt Holandës për ta parë nga afër atë që më pas do të bëhej një legjendë. Italiani madje e kishte ndjekur mes tifozëve, për të mos rënë në sy.

Mjaftoi një takim për të arritur marrëveshjen. 6 miliard lireta për Ajax, 600 milion lireta neto në sezon për Van Basten, sikurse edhe bonuse të tjera si makina e shtëpi. Fiorentina ishte gati të paguante dhe po tentonte të ndërtonte një ekip të shkëlqyer. Gjithsesi më pas marrëveshja nuk u konkretizua dhe Van Basten një vit më pas zbarkoi në Milani, ku shkroi historinë me kuqezinjtë. /abcnews.al