Sllovakia zgjedh presidentin e ri

schedule14:32 / 30/03/2019

Në balotazhin e të dielës për zgjedhjet presidenciale, sllovakët do të zgjedhin presidentin e ri për pesë vitet e ardhshme. Sondazhet nxjerrin fituese avokaten e re në moshë Zuzana Caputova, e cila është future në politikë vetëm në vitin 2017.

Nga njëra anë, domosdoshmëria për ndryshim dhe rifitimi i besimit në drejtësi dhe në institucionet shtetërore; nga ana tjetër vlerat tradicionale katolike. Sllovakët do të zgjedhin të dielën mes këtyre alternative në balotazhin që do të vendosë se kush do të jetë presidenti i vendit në pesë vitet e ardhshme.

Sfida elektorale është mes avokates Zuzana Caputova dhe zëvendëspresidentit të Komisionit Europian Maros Sefcoviç: të dy me një orientim të deklaruar perëndimor dhe europian.

Sondazhet parashikojnë një fitore bindëse të Caputovës me 60 për qind të votave kundrejt 40 për qind të Sefcoviç. Sipas saj ajo e së dielës nuk është vetëm një garë për postin e presidentit, por në lojë janë principet thelbësore për funksionimin e shtetit.

Dëshira për ndryshim, për të cilin Caputova është kthyer në një simbol, u shfaq në të gjithë Sllovakinë pas vrasjes së gazetarit Jan Kusiak, i cili shkruante për lidhjet mes pushtetit të ish-kryeministrit Robert Fiko dhe krimit të organizuar.

Caputova ka hyrë në politikë në vitin 2017. Deri në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale ajo ishte nënkryetare e partisë jo qeveritare “Sllovakia progresiste”. Ajo u bë e njohur për betejën e saj në fushën e ekologjisë, si dhe për të drejtat e homoseksualëve dhe minoriteteve.

Maros Sefcoviç, 52 vjeç, përqendroi fushatën e tij elektorale në promovimin e familjes tradicionale dhe të vlerave të krishtere pavarësisht se në vitet 80 ishte anëtar i Partisë Komuniste, e cila në ish-Çekosllovakinë komunistë persekutonte kishat. Ai është anëtar i Komisionit Europian që nga viti 2009. Fushata elektorale konfirmoi se shoqëria sllovake është e polarizuar, sipas tij.

Në raundin e parë të votimit Caputova mori 40.57 për qind të votave ndërsa rivali i saj 18,66%. Balotazhi do të varet shumë nga votat e 25 për qind zgjedhësve të cilët në raundin e parë votuan në favor të dy kandidatëve anti-sistem, por dhe nga pjesëmarrja në votime. Fituesi do të zëvendësojë presidentin aktual Andrej Kiska në mesin e muajit Qershor./abcnews.al

schedule14:32 / 30/03/2019