Një 65 vjeçar ka kallëzuar në policinë e Tiranës një person, me të cilin është në konflikt pronësie. 65 vjeçari Flamur Bucpapaj ka dëshmuar se shtetasi Eduart Dumi e ka kërcënuar nga format më të ndryshme për një pronë të ndodhur në fshatin Vishnje, për të cilin ky i fundit pretendon se është e tij.
Ai thekson se pronën e ka blerë në vitin 2010 dhe se 5 vite më parë Eduart Dumi, për të cilin thotë se nuk e njihte më parë, është paraqitur me pretendimin se i përket atij. Ai gjithashtu ka dëshmuar se është kërcënuar me fjalët “S’ke për ta gëzuar pronën”, “Do ta shohësh çfarë do të ndodhë”.
“Ky shtetas ka që nga viti 2018 që më futet shpesh në pronë pa dijeninë time dhe lejen time. Unë asnjëherë nuk jam marre me atë pasi nuk kam dashur të konfliktohem. Ditën e sotme kur shkova tek prona, shtetasi Eduart Dumi ishte bashkë me të ëmën dhe më kërcënuan me fjalët “S’ke për ta gëzuar pronën”, “Do ta shohësh se çfarë do të ndodhë”. Më pas unë njoftova policinë. Dua të them se ndjehem i frikësuar pasi kam informacion se ky shtetas do të mbjellë ndonjë bimë të palejuar si bima narkotike dhe prona është në pronësinë time“, ka thënë 65 vjeçari.
Pas depozitimit të kallëzimit, shërbimet e Policisë kanë shoqëruar në komisariat Dumin. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes dhe kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale.

/abcnews.al


