S’ka më penallti për rastet aksidentale, ndryshon rregullorja për prekjet me dorë

schedule18:44 - 5 Mars, 2021

schedule 18:44 - 5 Mars, 2021

Gjatë viteve të fundit prekja e topit me dorë në zonë është interpretuar në mënyra të ndryshme dhe ka pasur shumë pakënaqësi, teksa federatat kryesore i kanë kërkuar FIFA-s ndërhyrje për ndryshime.

Shoqata e Arbitrave konfirmoi sot ndryshimin e rregullores për prekjet me dorë. Deri më tani çdo prekje me dorë në zonën tënde konsiderohej penallti. Tashmë nuk do ndodhë kështu. IFAB tregon se çdo prekje e paqëllimshme e topit me dorë nuk do të konsiderohet shkelje dhe nuk do të ketë penalizim.

Shkelje do të quhet vetëm kur lojtari e lëviz dorën apo krahun qëllimisht drejt trajektores së topit. Pra në rast se dora e lojtarit lëviz artificialisht drejt topit, çka do të thotë se ajo nuk është në pozicion natyral, konsiderohet faull.

Gjithashtu nuk do të jetë shkelje në rast se lojtari prek jo qëllimisht topin dhe sfera përfundon në rrjetë. Gjithashtu prekja aksidentale, që ndihmon një shok skuadre të shënojë, do të jetë e lejueshme. /abcnews.al