Kryeministri Edi Rama në një deklaratë për mediat këtë të mërkurë foli për disa vendime që ka marrë Këshilli i Ministrave në lidhje me masat për të përballuar situatën e shkaktuar nga tërmeti. Në fillim të fjalës së tij, kreu i qeverisë theksoi se ka pasur solidaritet nga ndërkombëtarët menjëherë pasi tërmeti i 21 Shtatorit goditi vendin.
Megjithatë, ai theksoi në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave janë vendosur linjat e punës duke iu referuar buxhetit të shtetit, por edhe pushtetit ekzekutiv dhe vendimmarrës në raport me një sërë masash që besoj se ka ardhur koha të merren sipas kryeministrit.
“Akti normativ i buxhetit të këtij viti garanton ndër të tjera dhe përdorimin e fondit rezervë për përballimin e situatës emergjente. Së dyti parashikon përjashtimin nga taksa e ndikimit në infrastrukturë për të gjitha investimet për banesat e dëmtuara si pasojë e tërmetit”, tha Rama.
Kreu i qeverisë deklaroi se do të bëhet një ekzaminim i plotë për ashensorët. Gjithashtu, tërmetin e cilësoi si një test për godinat e reja. Sipas kryeministrit, dëmet më të mëdha i kanë pëduar godinat e vjetra.
“Ekzaminim të plotë për ashensorët, për të cilën personat përgjegjës nuk kanë dokumentacion të plotë. Objektivi është që të sigurohemi që ashensorët në përdorim plotësojnë kriteret dhe nuk janë të impaktuar teknikisht pas tërmetit. Kemi marrë një vendim që është me impakt afatgjatë që parashikon masat detyruese për ndërtuesit, për zhvilluesit, për investitorët për të lidhur një kontratë sigurimi me afat 10-vjeçar për fituesin.
E vërteta është që goditja sizmike, edhe pse e konsiderueshme, nuk ka dhënë impakt anë godinat e reja. Kemi pasur të gjithë, edhe unë përfshirë këtu bashkë me ju dyshimin e forte se nëse në të gjithë këtë zhvillim të këtyre 30 viteve dhe për shkak të shumë abuzimeve, për shkak edhe të shumë shkeljeve në lejet e ndërtimi, do të kishim një vulnerabilitet të konsiderueshëm në rast të një tërmeti. Për fat të mirë, godinat kanë kaluar një test me sukses sepse të gjitha dëmet, qoftë ato të konsiderueshme, qoftë ato sipërfaqësore janë regjistruar në godina të vjetra po në shtesa të godinave të vjetra, apo në një grup godinash të viteve ‘90. Në periudhën e më pastajme nuk janë shënuar dëme qoftë edhe sipërfaqësore. Ky është një lajm i mirë në të gjithë morinë e kësaj vështirësie të madhe që kei kaluar dhe pasojave që duhet të përballojmë”, tha Rama.
Rama tha se Këshilli i Ministrave ka vendosur që të bëhet përshpejtim i lejeve të ndërtimi për rregullime të ndërtesave që kanë pësuar dëmtime nga goditja sizmike.
“Këta jo vetëm që do të marrin leje pa paguar asnjë taksë, por edhe do ta marrin lejen brenda vetëm 5 ditësh”, tha Rama.
VKM-ja tjetër ka të bëjë me studimet e thelluara në planifikimin e territorit që duhen bërë për shkak të fenomeneve natyrore.
“Kemi marrë një vendim, për një sërë studimesh të thelluara në planifikimin e territorit që lidhen me fenomenet natyrore sepse tërmeti është një prej tyre, por për fat të mirë nuk është aq i përhershëm saç janë përmbytjet për shkak të erozionit apo arsyeve të tjera. Kështu që ky është një detyrim për institucionet”.
Ndërkohë, lejet e ndërtimit për godinat kolektive nuk do të jepen më pa policën e sigurimit.
“Leja e ndërtimit për godina kolektive do të lidhet me sigurimin. Nuk do të jepet më leje ndërtimi pa policën e sigurimit që duhet ta disponojnë qysh në fillim arkitektët apo grupet e projektimi. Duhet depozituar nga investitori apo kërkuesi i lejes në dosje kur kërkon lejen dhe detyrimin për kompaninë e sigurimit që të garantojnë zbatimin e saktë dhe pa shkelje të lejes. Është një element që më në fund gjen konsensus. E kam propozuar shumë vite më parë, ka hasur gjithmonë rezistencë”, tha Rama, i cili shtoi se do të ketë edhe një nismë për policimin vullnetar në kohë emergjencash./abcnews.al