Situata nga Covid-19, dështojnë bisedimet për paketën ekonomike mbi papunësinë

schedule09:38 - 8 Gusht, 2020

schedule 09:38 - 8 Gusht, 2020

Një përpjekje e fundit nga demokratët për të ringjallur bisedimet në Kongres për fondet jetike të asistencës financiare nga COVID-19, përfundoi me zhgënjim të premten.  Ngërçi i Uashingtonit do të nënkuptojë më shumë vështirësi se miliona njerëz po humbasin asistencën e zgjeruar për papunësinë dhe dëme të mëtejshme për një ekonomi të goditur nga pandemia e koronavirusit ende në zhvillim.

“Ishte një takim zhgënjyes”, deklaroi udhëheqësi demokrat në Senat, Chuck Schumer, duke thënë se Shtëpia e Bardhë kishte refuzuar një ofertë të Kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, për të ulur kërkesat e demokratëve me rreth 1 trilion dollarë. Ai i kërkoi Shtëpisë së Bardhë të “negociojë me demokratët dhe të zhvendosen drejt një pike të mesme.

Seanca e së premtes pasoi një takim të ndezur të enjten që, për herë të parë hodhi dyshime të vërteta në aftësinë e administratës Trump dhe demokratëve në Kongres për t’u bashkuar rreth një projekt-ligji të pestë në përgjigjeje të pandemisë COVID-19. Zonja Pelosi thërriti zotin Mnuchin dhe zotin Meadows me shpresën për t’i dhënë frymë negociatave, të cilat janë karakterizuar nga irritimi dhe refuzimi nga të dyja palët.

Një dështim në bisedime do të rrezikonte më shumë se 100 miliardë dollarë për të ndihmuar në rihapjen e shkollave, një raund të ri prej 1,200 dollarësh pagesa direkte për shumicën e amerikanëve, si dhe qindra miliarda dollarë për qeveritë shtetërore dhe lokale për t’i ndihmuar ata të shmangin shkurtimet në personel dhe shërbime, ndërsa tkurren të ardhurat nga taksat.

Të premten, ata treguan raportin e ri të vendeve të punës në korrik, në përpjekje për të forcuar propozimet e tyre. Raporti tregoi se Shtetet e Bashkuara shtuan 1.8 milion vende pune muajin e kaluar, një rritje shumë më e ulët sesa në maj dhe qershor.

“Është e qartë që ekonomia po humbet ritmin”, tha zoti Schumer. “Kjo do të thotë se kemi nevojë për investime të mëdha dhe të guximshme në Amerikë për të ndihmuar njerëzit e zakonshëm”.

Republikanët në Senat janë të ndarë; afërsisht gjysma e tyre kundërshtojnë krejtësisht një projekt-ligj tjetër shpëtimi financiar. Katër projektligje të mëparshme të përgjigjes ndaj koronavirusit, të cilat arrijnë në pothuajse 3 trilionë dollarë, kanë kaluar me vota dypartiake pavarësisht mosmarrëveshjeve të mëdha. Por, konservatorët u tërhoqën kur u ngrit ideja e një marrëveshjeje tjetër të ndërmjetësuar nga zonja Pelosi, me një kosto të lartë për defiçitin buxhetor.

Zoti McConnell e ka dërguar Senatin në shtëpi në vend që t’i detyrojë senatorët e paduruar të japin kohën e tyre ndërsa demokratët luajnë fort. Kjo sugjeron se nuk ka gjasa se do të arrihet një marrëveshje deri në fund të javës tjetër.

Zonja Pelosi dhe zoti Schumer mbajtën qëndrim të vendosur për të zgjatur asistencën e skaduar të papunësisë prej 600 dollarësh në javë; kërkuan asistencë të mjaftueshme për kujdesin e fëmijëve dhe përsëritën këmbënguljen e tyre për tollona ushqimi dhe asistencë për qiramarrësit dhe pronarët e shtëpive që përballen me dëbimin ose konfiskimin.

“Ky virus është si një tren mallrash që vjen me shumë shpejtësi dhe ata po përgjigjen si një autokolonë tepër e ngadaltë. Thjesht nuk funksionon”, tha zonja Pelosi të premten./abcnews.al