Siguria në ujërat e gjirit, SHBA kërkon aleatë

schedule22:05 - 10 Korrik, 2019

schedule 22:05 - 10 Korrik, 2019

Sulmet e fundit ndaj anijeve-çisternë në gjirin e Omanit kanë shtyrë Shtetet e Bashkuara të planifikojnë krijimin e një koalicioni shumëkombësh për të garantuar sigurinë e lundrimit në ngushticat që janë dhe akset kryesore tregtare të naftës.

Shtetet e Bashkuara kanë deklaruar se duan të krijojnë një koalicion ushtarak shumëkombësh për të ruajtur sigurinë në ujërat përreth Iranit dhe Jemenit. Gjenerali Xhozef Danford, komandant i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë amerikane, deklaroi se synon të garantojë lirinë e lundrimit në rajon, ku ndodhen edhe disa nga rrugët më të rëndësishme tregtare.

Shtetet e Bashkuara kanë fajësuar Iranin për sulmet ndaj 6 anijeve-çisternë në periudhën maj-qershor 2019. Gjenerali Danford tha se për të parandaluar sulme të tilla, Shtetet e Bashkuara po flasin me një numër vendesh që kanë vullnetin politik për të mbështetur planin e tij. Shtetet e Bashkuara do të ofrojnë anije kontrolli dhe pajisje mbikëqyrjeje, por synimi është që edhe vendet e tjera të vënë në dispozicion mjetet e tyre të lundrimit për të shoqëruar anijet tregtare.

Gjenerali Danford tha se Amerika do të punojë direkt me ushtritë e vendeve të tjera për të identifikuar aftësitë e secilit vend që do të mbështesë iniciativën. Ngushticat e Hormuzit dhe Bab al Mandab janë dy akse të një rëndësie strategjike.

Rreth një e pesta e naftës që konsumohet në rang global kalon përmes ngushticës së Hormuzit, e cila lidh oqeanin Indian me ujërat e Gjirit, ndërsa çisternat e naftës që nisen nga Lindja e Mesme për në Europë përmes detit të Kuq kalojnë përmes Bab al Mandab./ABC News Albania 24/7