Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, ishte në Sarandë për një takim me drejtues të Policisë së Shtetit, IKMT dhe institucioneve vendore, me fokus kontrollin e territorit dhe garantimin e sigurisë publike në zonat bregdetare.
“Ndërtimet pa leje, zaptimi i hapësirave publike apo abuzimet në kurriz të interesit qytetar dhe zhvillimit të qëndrueshëm të turizmit, janë një vijë e kuqe”, tha ministri gjatë fjalës së tij.
“Dilni për Zot përgjegjësisë, që ju është dhënë. Ne nuk mund të lejojmë të cënohet diçka që është më e madhe. Zero tolerancë ndaj paligjshmërisë dhe përgjegjësi për çdo mosveprim institucional”, u shpreh ministri Lamallari.
Të pranishëm në takim ishin edhe kreu i Policisë së Shtetit, Skënder Hita dhe kreu i IKMT, Afrim Qëndro, si dhe kryebashkiaku i Sarandës, Oltion Çaçi.


