Nga Robert Muggah & Vadim Dryganov “Foreign Policy”
Përktheu: Alket Goce-abcnews.al
Motivet prapa pushtimit rus të Ukrainës, variojnë nga frika e sigurisë deri tek pretendimet historike revizioniste, sipas të cilave nuk ekziston një identitet kombëtar ukrainas. Por një motiv i rëndësishëm është edhe siguria energjetike, dhe sidomos vendosmëria e presidentit rus Vladimir Putin për të siguruar eksportet e vazhdueshme të naftës dhe gazit rus në tregjet evropiane, edhe përmes linjave të transportit që kalojnë në Ukrainë.
Por çmimi kryesor që synon Rusia me këtë luftë, mund të jenë pasuritë e jashtëzakonshme natyrore që zotëron Ukraina, duke përfshirë disa nga asetet më të mëdha në botë në sektorët energjetike, minerale dhe bujqësorë.
Me përjashtim të bujqësisë dhe qymyrit, shumë nga burimet e Ukrainës mbetën të pazhvilluara dhe të pa eksploruara gjatë periudhës sovjetike, por edhe në pjesën më të madhe të epokës post-sovjetike. Kohët e fundit, Ukraina ishte përpjekur të rriste sigurinë e saj ekonomike dhe energjetike duke i zhvilluar këto burime, dhe duke i diversifikuar eksportet e saj larg Rusisë.
Ajo nisi një proces të gjerë të privatizimeve në sektorin e naftës dhe gazit në vitin 2013, që u ndërpre nga pushtimi dhe aneksimi i Krimesë nga Rusia në vitin 2014 dhe ndërhyrja ushtarake në Donbas. Pas miratimit dhe fillimit të zbatimit të një strategjie të re energjetike në vitin 2017, dhe përshpejtimit të licencimit të kompanive perëndimore për nxjerrjen e mineraleve vitin e kaluar, lëvizjet e Ukrainës për të zhvilluar burimet e saj natyre po pengohen sërish nga pushtimi aktual i Rusisë.
Kjo edhe sepse shumica e burimeve, ndodhen në rajonet e saj lindore dhe nën Detin e Zi , të cilat aktualisht ose janë të kontrolluara ose ndodhen në sulmin e ashpër të ushtrisë ruse. Edhe prodhimi i jashtëzakonshëm bujqësor i Ukrainës, është penguar gjithashtu nga shënjestrimi i qëllimshëm që i ka bërë Rusia magazinave, pajisjeve bujqësore dhe aseteve të tjera bujqësore.
Po ashtu ushtria ruse ka pushtuar shumë nga portet e Ukrainës, po bllokon rrugët e saj detare, dhe ka fundosur disa anije që synonin të transportonin grurin ukrainas në tregjet botërore.
Synimi i shpallur i luftës i Rusisë për pushtimin e rajoneve lindore dhe brigjeve jugore të Ukrainës, nuk është aspak i rastësishëm.
Këto rajone – duke përfshirë pjesën e Ukrainës nën Detin e Zi, tani e kontrolluar kryesisht nga Rusia – përbëjnë rreth gjysmën e naftës konvencionale, 72 për qind të gazit dhe gati të gjithë prodhimin dhe rezervat e qymyrit.
Edhe pjesa më e madhe e mineraleve më të rëndësishme të Ukrainës, sidomos metalet e rralla që sot kërkohen shumë në tregjet ndërkombëtare, gjenden në Donetsk dhe në pjesë të tjera të Ukrainës, që janë ose të pushtuara ose të kërcënuara nga Rusia.
Shumë kultura bujqësore të rëndësishme që ushqejnë tregjet globale – si gruri, misri, elbi dhe luledielli – kultivohen në Ukrainën Lindore dhe atë Juglindore. Lufta ka ndërprerë jo vetëm prodhimin e këtyre burimeve, por edhe furnizimin me inpute jetike, ka bllokuar rrugët e eksportit, dhe i ka bërë të pasigurta investimet e ardhshme.
Aneksimi i Krimesë nga Rusia në vitin 2014, dhe i pjesës më të madhe të zonës bregdetare të të Ukrainës këtë vit, nënkupton se Moska kontrollon tani mbi 80 për qind të rezervave të gazit të Ukrainës, përfshirë mbi 37 miliardë metra kub gaz natyror.
Kompania shtetërore energjetike e Ukrainës, Naftogaz, po përgatitej të kryente shpime në 32 blloqe detare, por këto plane u prishën nga lufta. Rusia duket se po bën plane që t’i integrojë këto dhe burime të tjera në zinxhirin rus të furnizimit me energji, tek e cila mbështetet aktualisht Evropa.
Marrëdhëniet ruso-ukrainase janë formësuar prej kohësh nga energjia, dhe sidomos nga linja e transitit të karburanteve ruse drejt Evropës me një gjatësi totale prej 45 mijë km. Edhe tani, prodhuesi shtetëror rus i gazit, Gazprom, po dërgon dhjetëra miliona metra kub gaz në Evropë.
Po kështu, qindra mijëra fuçi naftë ruse vazhdojnë të lëvizin nëpër Ukrainë përmes tubacioneve të Druzhba, Pomary Progress, Soyuz, Urengoy dhe Uzhgorod. Të gjitha këto dërgesa ruse i sjellin Ukrainës miliarda dollarë tarifa tranziti, të cilat Rusia vazhdon t’i paguajë edhe tani që ushtria e saj po rrafshon me bomba dhe raketa qytetet ukrainase.
Përpara pushtimit të këtij viti, Ukraina importonte afërsisht 1/3 e gazit, më shumë se 2/3 e naftës dhe gati gjysmën e qymyrit që konsumon. Por ajo mund të ketë rezervat e dyta më të mëdha të gazit natyror në Evropë pas Rusisë:1.1 trilion metra kub rezerva të provuara, dhe deri në 5.4 trilion metra kub nëse përfshihen rezervat e mundshme.
Po ashtu, Ukraina ka 151 miniera qymyri funksionale, dhe deri në 41 miliardë ton rezerva qymyri, ndër më të mëdhatë në botë. Këto pasuri janë një tjetër arsye pse kontrolli mbi Ukrainën është kaq shumë tërheqës për Kremlinin.
Por Ukraina është një superfuqi e mundshme edhe në prodhimin e metaleve shumë jetike për industritë. Kjo pasi Ukraina ajo ka rezerva të rëndësishme të 117 nga 120 mineralet industriale më të përdorura, me më shumë se 8700 burime të certifikuara.
Ndonëse prodhimi total ishte afërsisht 15 miliardë dollarë vitin e kaluar, vlera totale e depozitave – përfshirë titanin, hekurin, neonin, nikelin, litiumin dhe burime të tjera kryesore – mund të arrijë midis 3 trilion dhe 11.5 trilion dollarë.
Rezervat e mundshme por ende të pakonfirmuara të litiumit – një element thelbësor në prodhimin e baterive të makinave elektrike – mund të jenë gjithashtu më të mëdhatë në Evropë.
Po ashtu në aspektin gjeografik, pjesa më e madhe e depozitave të metaleve të rralla – si berilium, niob dhe tantal – duket se janë të përqendruara në Kruta Balka në Zaporizhzhia, Shevchenko në Donetsk dhe fushat Polokhivske në Dobra, që të gjitha brenda ose afër territorit të pushtuar nga Rusia.
Por tani për tani, më shumë do të ndikohet prodhimi dhe eksporti i ushqimit në botë. Në vitin 2021, Ukraina prodhoi 12 për qind të sasisë globale të grurit, 16 për qind të gjithë misrit, 18 për qind të elbit dhe gati gjysmën e farave të lulediellit, nga të cilat prodhohet vaji për gatim.
Të gjitha eksportet bujqësore, arrinin në thuajse 28 miliardë dollarë, shumica e tyre në vendet në zhvillim si India, Indonezia, Egjipti, Etiopia, Turqia dhe Jemeni. Vlerësimet për ndikimin e saktë të luftës në prodhimin bujqësor të Ukrainës ndryshojnë. Natyrisht, shumë gjëra do të varen nga kohëzgjatja e luftës dhe cilat zona janë prekur.
Disa kultura bujqësore, ka të ngjarë të ndikohen më shumë sesa të tjerat. Për shembull, gati 1/3 e të korrave të misrit të Ukrainës, rritet në zonat e pushtuara nga Rusia. Rreth 30 për qind e prodhimit të grurit të Ukrainës është e përqendruar në rajonet Donbas, Zaporizhzhia, Kherson dhe Odesa, që të gjitha të prekura nga luftimet.
Ministri ukrainas i Bujqësisë i Ukrainës, ka deklaruar se sipërfaqja e kultivuar mund të përgjysmohet nga 15 milionë hektarë në vitin 2021, në 7 milionë hektarë këtë vit. Edhe Rusia e ka ngadalësuar ose ndalur furnizimin e inputeve kryesore, përfshirë atë të farave të lulediellit.
*Marrë me shkurtime


