Pasi debatoi të martën me banorët e një pallati 12 katësh në Lezhë, ministri i brendshëm Sandër Lleshaj u kërkoi sërish sot pasdite këtyre banorëve të hyjnë nëpër apartamente, pasi pallati sipas tij është i sigurtë.
Ndërkohë dy grupe ekspertësh kanë bërë verifikimin e ndërtesës, por banorët nuk besojnë tek fjalët dhe duan një dokument zyrtar.
Sandër Lleshaj gjatë debatit me banorët është shprehur pallati është i sigurt dhe qytetarët mund të futen në shtëpitë e tyre, “ kësaj i thonë shumë zhurmë për asgjë”, tha Lleshaj.
Të jenë këto fjalë një mënyrë për të justifikuar debatin e së martës në Lezhë? Gjithësesi ministri as sot nuk shpëtoi nga ajo që e quan zhurrmë kur në fakt është kërkesë për të dhënë llogari. Ai deri më sot është sjellë si ekspert dhe ju dha garanci banorëve të pallatit 12 katësh në Lezhë se pallati i tyre është i banueshëm. Pasditen e së mërkurës ai u rishfaq në Lezhë dhe dha sërish siguri.
“Në harkun e 24 orëve janë bërë dy ekspertiza, një nga ekspertë shqiptarë dhe një nga ekspertë izraelitë dhe konkluzioni është i njëjtë, – pallati nuk ka asnjë problem me sigurinë e tij”, tha Lleshaj.
Banorët që kanë frikë për jetën e tyre nuk e lanë të qetë po i kërkuan Lleshajt një dokument që vërteton fjalët e tij. Më pas ministrit iu kërkua të kërkojë falje për sjelljen e tij. Po komunikimi i tij ndaj banores ishte në mënyrë arrogante./abcnews.al

