Petrit Kllokoqi është ngjitur në Everest, majen më të lartë në botë.
I ftuar në Ballkan Update, Kllokaqi ka rrëfyer emocionet dhe sfidat e ekspeditës drejt majës së Everestit, duke treguar se ngjitja zgjati 46 ditë me rreth 8 orë ecje çdo ditë. Ai tha se gjatë rrugëtimit dy persona nga grupi humbën jetën, por pavarësisht vështirësive, arritja në majë ishte një moment i papërshkrueshëm emocional.
Kllokaqi u shpreh se motivimin më të madh e mori nga familja, muzika shqip dhe flamujt që kishte marrë me vete, duke theksuar se “vetëm ideali na ka mbajtur deri në majë”.
“Për 46 ditë, rreth 8 orë në ditë, kemi pasur ngjitje për të shkuar në majën e Everestit. Në grupin tonë, 2 persona kanë humbur jetën. Ia vlejti krejt qëllimit, falënderoj shumë Zotin, sepse shumë njerëz nuk kanë kohë ta realizojnë. Gjithçka ia vlejti dhe ia dolëm. Kam pasur dy flamujt, i kam marrë me vete.
I kam bashkuar dhe ky ka qenë ideali. Gjatë eksperiencave të rënda gjatë rrugës, shihja telefonin dhe mendoja vajzën, dëgjoja muzikë shqip dhe vetëm ideali na ka mbajtur deri në majë. Kur mbërritëm në majë, ishte një shpërthim emocional, u gërshetuan mendimet; jeta dhe bota shihen nga një vizion tjetër.”


