“Shqiptarët janë njerëz që faktikisht kanë dalë nga mali. Për ata është njësoj nëse bëjnë luftë apo rrojnë në paqe”. Është kjo fraza e kryeministres serbe Ana Brnabiç, të cilën e deklaroi gjatë një konference dhe ka ngjallur reagime të shumta.
Në lidhje me këtë çështje, Mustafa Nano në monologun që mbajti këtë të premte solli në vëmendje edhe një shprehje tjetër të një shkrimtari serb.
“Shqiptarët me bisht janë dy llojesh, me bisht kali të vogël e me bisht dhie. Janë njerëz të fortë shumë, e sidomos janë rezistentë gjatë ecjes më këmbë. Para disa vitesh vdiq njëri prej tyre, i cili ecte shumë, si të ishte një personazh përrallash. Ky njeri kishte një bisht dhe kur dilte për të kryer nevojat fiziologjike, e mbante bishtin me dorë për të mos e bërë pis”, thotë Vlladan Gjorgjeviç në një libër ndaj shqiptarëve.
Ai është bazuar në fjalët e një albanologu të njohur shqiptar, George Von Hahn, i cili pasi kishte dëgjuar nga vetë shqiptarët ishte munduar ta shikonte vetë diçka të tillë.
“U përpoqa mjaft të shihja një njeri të tillë, por pa sukses; të gjithë mjekët e ushtrisë turke, të cilët i pyeta mbi këtë çështje, më thanë se kjo ishte një përrallë; ata nuk kishin parë kurrë një njeri me bisht, ndonëse vit për vit kontrollonin me mijëra rekrutë të rinj nga të gjitha viset e perandorisë”, ka shkruajtur studiuesi Georg von Hahn.
Mustafa Nano i konsideron broçkulla këto deklarata, mirëpo i kupton për shkak të kohës ku Gjergjeviç ka jetuar. Mirëpo ajo që duket banale për të është deklarata e lëshuar së fundmi nga kryeministrja Brnabiç. Ajo frazë e Brnabiç e ka shokuar moderatorin Mustafa Nano.
“Gjëra të tilla kanë qenë të së shkuarës, por tani na del një personazh tjetër që na quhet Ana Brnabiç, e cila është kryeministre e Serbisë. Në një takim, në një konferencë për shtypin në Serbi, duke pasur në krahë ambasadorin e BE-së në Beograd, mesa di unë. Në mos ka qenë ai, ka qenë një përfaqësues i vendeve anëtare të BE-së. Aty ka thënë “Shqiptarët janë njerëz që faktikisht kanë dalë nga mali. Për ata është njësoj nëse bëjnë luftë apo rrojnë në paqe”. Unë e kuptoj Gjorgjeviçin që ka thënë atë që thashë në fillim të shekullit të shkuar sepse e kuptoj kur marr parasysh të gjitha sentimentet serbe në raport me shqiptarët, por në vitin 2019 të dalë dikush në Beograd dhe ky dikush është kryeministër dhe të këpusë një broçkull të tillë, kjo mua ma heq petllën. Unë kisha menduar për kryeministren Ana Brnabiç kisha menduar mirë gjatë gjithë kohës. Më dukej një vajzë e mirë, e pjekur, por mesa duket nuk ka qenë kështu. Mesa duket jemi të dënuar këtu në Ballkan që të dëgjojmë pafund gjëra të tilla të një banaliteti të pashoq. Se ky i përfaqësuar nga Ana Brnabiç është një banalitet që nuk ka shoq. Unë kam ngelur i shtangur”, tha Nano./abcnews.al