Dita e madhe erdhi. Pikërisht sot, në orën 18:00 “Arenën Kombëtare” do të nisë Kampionati Europian në futboll deri 17 vjeç. Shqipëria vendase do të bëjë hapjen përballë një rivali tepër të fortë si Portugalia.
Është hera e parë që ky turne mbahet në vendin tonë, me UEFA-n që I ka ndenjur besnike filozofisë së saj për ta luajtur në sa më shumë vende të kontinentit.
Kuqezinjtë e trajnerit italian, Andrea Tedesko janë një nga 8 ekipet finalist që pretendojnë titullin, edhe pse tifozët shqiptarë nuk janë mësuar që të ëndërrojnë kaq guximshëm.
Shorti, normalisht është tepër I vështirë, pasi në grupin A do të jenë edhe Franca e Gjermania. Në grupin B janë Italia, kampionia në fuqi, si dhe Belgjika, Anglia dhe Çekia, dhe habi është eliminimi I Spanjës, skuadrës që mban rekordin me 9 tituj kontinentalë të fituar në histori.
Sa shanse kemi për t’ia dalë?
Shqipëria U17 është plotësisht e përbërë nga lojtarë që luajnë jashtë dhe që thuajse të gjithë kanë lindur gjithashtu jashtë. Edhe ata që kanë lindur në Shqipëri si Kulla apo Sheji në Shkodër, e Kurti në Tiranë, janë formuar në Itali.
Në këtë listë ka plot 12 futbollistë që luajnë në Apenine, ndërsa 6 prej tyre janë në Akademinë e Juventusit. Tre nga lojtarët luajnë në Greqi, dhe dy në Angli.
Asnjë prej tyre nuk është pjesë e ligave në Shqipëri. Emrat më të spikatur janë portieri I Juventusit, Rafaele Huli, por edhe dy sulmues, që gjithashtu luajnë në Itali. Njëri është Arman Durmishi, që kaloi para 8 muajve nga Sllovenia pikërisht tek Juventusi dhe ka shënuar 14 gola e ka shërbyer 3 asistë në 19 ndeshje në kampionatin e moshave në Itali.
Durmishi ka lindur në Koper të Sllovenisë, ashtu si vëllai I tij binjak, Dajan, që është gjithashtu pjesë e Shqipërisë U17. Sulmuesi tjetër është Gabriel Kulla, pjesë e Akademisë së Sasuolos, që po ashtu ka pasur një sezon të shkëlqyer me 16 gola në 23 ndeshje në kampionat.
Kulla ka qenë deri në moshën 11-vjeçare në Shkodër, në ekipin “Djelmnia Shkodrane”, e më pas kaloi në Itali. Portugezët, kundërshtarët tanë të parë, janë gjashtë herë kampioonë të kontinentit për këtë kategori moshe. Ata janë nënkampionët të Europës në fuqi, pas humbjes në finale ndaj Italisë, ndërsa titullin e fundit e kanë fituar në 2016./abcnews.al