SPANJË- Kryeministri Edi Rama, gjatë vizitës në Spanjë dha detaje për mbajtjen e Kongresit Botëror të Ligjit, i cili do mbahet pas dy vitesh në Shqipëri.
Ai theksoi se Kongresi në fjalë do të sjellë në Tiranë rreth 3 mijë juristë nga gjykatat supreme dhe sistemet gjyqësore të shumë vendeve të botës.
“Në mikpritjen e bukur edhe për nder të Shqipërisë, organizuar nga Madhëria e Tij, Mbreti Felipe VI, me anëtarët e bordit të “World Jurist Association”, organizata prestigjioze ndërkombëtare e juristëve, gjyqtarëve, akademikëve dhe profesionistëve të ligjit nga e gjithë bota, në vigjilje të nënshkrimit të marrëveshjes për organizimin e “World Law Congress Albania 2027”, Kongresit Botëror të Ligjit në vitin 2027, i cili do të mbahet në Tiranë e do të sjellë rreth 3 mijë juristë nga gjykatat supreme dhe sistemet gjyqësore të shumë vendeve të botës”, shkruan Rama, teksa ka ndarë pamje dhe foto familjare me anëtarët e “World Jurist Association”, organizata prestigjioze ndërkombëtare e juristëve, gjyqtarëve, akademikëve dhe profesionistëve të ligjit nga e gjithë bota.
Kryeministri Rama njoftoi të enjten se do të fluturonte drejt Spanjës, për të marrë këtë çmim, i cili siç tha ai nderon drejtpërdrejt Shqipërinë në arenën ndëkombëtare.
“Një kërkese ndjese sepse kemi një udhëtim për jashtë dhe më duhet të largohem. Ju kërkoj shumë ndjesë, por është një koment i rëndësishëm sepse duhet të marrin konfirmimin e një aktiviteti me shumë më vlerë për Shqipërinë. Shqipëria është bërë mikpritëse e Kongresit Botëror të Ligjit, në 2027. Prandaj, duhet të shkojmë ta marrim këtë gjë”, tha Rama, para se të largohej nga takimi, ku po diskutohej tryeza e hapur e Bankës së Shqipërisë dhe Bankave të nivelit të dytë dhe sipërmarrjes mbi kreditimin e sektorit të bujqësisë në Shqipëri./abcnews.al