Shqipëria “peng” i Maqedonisë? Presidenca sllovene për ABC: Përpjekje maksimale për hapjen e negociatave

schedule11:59 - 22 Nëntor, 2021

schedule 11:59 - 22 Nëntor, 2021

Nga Erisa Zykaj

Tema e zgjerimit do të jetë pikë e axhendës së takimit të ministrave të çështjeve europiane të Bashkimit Europian. 27 ministrat do të mblidhen në 23 nëntor në Bruksel për të diskutuar për përkeqësimin e gjendjes së pandemisë dhe përdorimin e dozes së tretë të vaksinës, kapacitetin e përgatitjes dhe përgjigjjes për krizat e ardhshme.

Marrëdhëniet me Britaninë e Madhe, vijueshmërinë e ekzaminimit të problematikës së shtetit ligjor në shtete anëtare si Polonia dhe Hungaria dhe zgjerimin e Bashkimit Europian me vendet e Ballkanit Perëndimor.

Lidhur me zgjerimin, ministrat e ceshtjeve europiane do të diskutojnë paketën e zgjerimit që përbëhet nga raportet e progresit për vendet apirante të publikuara nga Komisioni Europian në 19 tetor.

Përveç kësaj, ministrat do të diskutojnë edhe mbi çështjen e sigurisë në rajon, temë të cilën homologët e tyre përgjegjës për punët e jashtme kanë prekur javën e shkuar. 27 ministrat e çështjeve europiane kërkojnë të përgatisin konkluzionet e zgjerimit për samitin e liderëve europianë të 16 dhe 17 dhjetorit të këtij viti.

Por ngërçi aktual për zgjerimin është bllokimi nga Bullgaria për aprovimin e kuadrit negociues me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

Komisioneri përgjegjës për politikën e fqinjësisë dhe zgjerimit, Oliver Varhelyi së bashku me përfaqësuesin e lartë të politikës së jashtme dhe të sigurisë, Joep Borrel kanë bërë thirrje javën e shkuar për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninê e Veriut brenda presidencës sllovene, para fundit të këtij viti. Burimet diplomatike të Bashkimit Europian kanë bëjnë të ditur për ABC, se zgjidhja e ngërçit me Bullgarinë duket aktualisht një çështje e ndjeshme dhe e vështirë për t’u zgjidhur.

Aktualisht 26 vendet anëtare të Bashkimit Europian janë pro aprovimit të kuadrit negociues për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Vetëm Bullgaria bllokon Maqedoninë e Veriut. Ndërkohë shumica dërrmuese e shteteve anëtare nuk dëshiron të vijojë me aprovimin e kuadrit negociues për Shqipërinë ndarazi.

Kjo pasi, për ta nuk do ishte e ndershme dhe e drejtë, që Shqipëria e cila vetëm në maj të këtij viti (2021) plotësoi mjaftueshëm kushtëzimin e vendosur nga shtetet anëtare për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare të avancojë para Maqedonisë së Veriut, e cila konsiderohej se kishte plotësuar kriteret me reformat kyçe të integrimit 2 vjet më parë (2019) dhe pengohet vetëm e vetëm nga një çështje bilaterale me Bullgarinë.

Shpresat e Bashkimit Europian janë që qeveria e re në Bullgari të zhbllokojë ngërçin me Maqedoninë e Veriut përmes gjetjes së një qëndrimi të përbashkët me Maqedoninë e Veriut lidhur me udhërrëfyesin që duhet ndjekur për zgjidhjen e problem të ngitura nga Bullgaria për çështjen e historisë, gjuhës, identitetit dhe të drejtat e qytetarëve me origjinë bullgare në Maqedoninê e Veriut.

Ndërkohë mbeten më pak se 4 javë deri në samitin e dhjetorit dhe në Bullgari nuk është fare e qartë nëse partia fituese “ Ne vazhdojmë ndryshimin” që pritet të formojë koalicionin e ri qeverisës në Bullgari do të ndryshojë qëndrimin lidhur me Maqedoninë Veriut.

Duket se për këtë parti afati i dhjetorit është një kohë shumë e shkurtër për të paraqitur një qëndrim të qartë lidhur me udhërrëfyesin për zbatimin e marrëveshjes së fqinjësisë së mirë me Maqedpninë e Veriut.

Por presidenca sllovene e Bashkimit Europian është e vendosur që të bëjë të gjitha përpjekjet për të zhbllokuar situatën lidhur me aprovimin e kuadrit negociues për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, që i hap rrugë mbajtjes së konferencave të para ndêrqeveritare me secilin vend dhe shënon çeljen formale të negociatave të anëtarësimit të tê dyja vendeve në BE. “ Ballkani Perëndimor është një prioritet i presidencës sllovene.

Samiti i Brdos ishte një sukses në këtë drejtim. Eshtë herët për të spekulluar nëse po shkojmë drejt një dështimi për kapjen e afatit të dhjetorit lidhur me hapjen e negociatave të anëtarêsimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

Ne nuk do kursejmë përpjekjet tona që të gjejmë një zgjidhje të suksesshme ndaj kësaj çështjeje. Por kjo nuk varet vetëm nga ne. Ne jemi vetëm një prej aktorëve” janë shprehur burimet diplomatike të Bashkimit Europian për ABC.  /abcnews.al